Receta e sotme nga JaMystic do t’ju transportoje në pjesën më perëndimore të Evropës, në Bretagne.
Receta: Katër të katërtat. 4/4
Pak histori
Bretagne është një nga rajonet e Francës që është shumë e njohur për ëmbëlsirat e saj me gjalpë të kripur. Rrjedhimisht meqë edhe ëmbëlsira jonë e ka origjinën atje do të jetë me gjalpë.
Katër të katërtat e merr emrin nga përbërësit e saj. Sheqer, vezë,miell, gjalpë janë me të drejta të barabarta në këtë recetë.
Secila nga to zë ¼ e recetës.
Katër të katërtat : për 4 persona
- 3 vezë =200g
- 200g sheqer
- 200g miell
- 200g gjalpë
- ½ lugë sodë buke
- Kripë
- 1 portokalle
Ndezim furrën dhe e ngrohim në 200 gradë.
Në një enë qelqi përziejmë gjalpin e shkrirë më parë ( kujdes jo i nxehtë ), sheqerin dhe vezët, dhe i përziejmë deri sa të lidhen. Duke përzjerë gjithmonë shtojmë miellin, sodën dhe një majë luge kripë deri sa të lidhet e gjithë masa. Në fund, me anë të një réndeje marrim esencë nga cipa e portokallit dhe e hedhim tek masa.
E përzjejmë edhe një herë dhe e hedhim në formën për ëmbëlsira që shkon në furrë, të cilën e kemi lyer më parë me gjalpë që të mos ngjisë.
E çojmë furrën në 180 gradë dhe e pjekim për 45 min. Mund ta kontrollojmë duke futur majën e thikës në qendër. Kur thika del e pastër ëmbëlsira është gati.
JaMystic këshillon:
Kjo recetë gjithë sekretin e ka tek pjekja. Nuk duhet pjekur më shumë seç duhet se del e thatë. Dmth pas 40 min në furrë bëni kontrolle me thikë.
Gjithashtu si aromë mund të përdorim edhe limonin .
Kjo ëmbëlsirë shkon shumë me reçel nga JaMystic, psh luleshtrydhe/ kardamon ose reçel portokalli .