Partia Demokratike i kërkoi të enjten qeverisë të tjera shpjegime rreth tenderit 1,5 milionë eurosh të ushqimeve për rezervat e shtetit.
Në një deklaratë për shtyp, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj kërkoi transparencë se si u krye tenderi dhe përse Ministria e Mbrojtjes ia dha “një kompani kompjuterash nga Maqedonia”.
Për këtë ai kërkoi që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) të niste sa më parë hetimet.
Në mesditë, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka theksoi se tenderi ishte kryer në përputhje me ligjin dhe se për çdo pretendim PD-ja duhej t’i drejtohej prokurorisë.
Alibeaj reagoi duke u rikujtuar se në Shqipëri “ka 35 mijë kompani që merren me ufrnizimin e ushqimeve”, por qeveria duhet të argumentojë “pse zgjodhi t’i japë 1,5 milionë euro kompanisë së kompjuterave nga Maqedonia”.
“Vjedhja dhe abuzimi me paratë dhe bukën e shqiptarëve duhet të marrin ndëshkimin e merituar. SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm duhet ta lënë karantinën dhe të nisin menjëherë hetimin e kësaj çështje”.
Demokratët i bazojnë akuzat te kushtet e tenderit, që kërkonte që kompania e cila do të shpallej fituese të kishte kryer brenda 3 viteve të fundit kontrata të ngjashme me së paku 40 për qind të vlerës së tenderit.
Po kështu dyshime ngre fakti se 6 ditë përpara hapjes së garës kompania Eurovia shtoi në aktivitetet e saj tregtimin e produkteve ushqimore.