Javët e fundit, tregu vendas është përballur me luhatje të mëdha të kursit të këmbimit valutor si pasojë e ndikimit që ka pasur në ekonominë e vendit dhe atë botërore kriza e Covid-19.
Zhvlerësimi i monedhës kombëtare në dy javët e fundit vjen kryesisht për shkak të politikave monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë—uljes prej saj të normës së interesit—dhe rritjes së kërkesës nga importuesit për monedhë të huaj.
Krahas këtyre presioneve të vazhdueshme, tregu ka pësuar luhatje edhe si pasojë e ndikimit në treg të agjentëve të mëdhenj spekultaroë ekonomikë që përfitojnë nga paqartësia e situatës, sikurse edhe nga paniku i publikut.
Në mungesë informacioni për ecurinë e tregut valutor, qytetarët përpiqen të mbrohen nga zhvlerësimi i Lekut duke blerë valutë të huaj, pa e pasur të nevojshme, duke rritur kështu në mënyrë artificiale kërkesën për to.
Lëvizje të tilla në panik të investitorëve të vegjël, për më tepër të panevojshme—pagesat për shpenzimet e përditshme i kanë në lekë—dëmtojnë më shumë se të gjithë ata vetë, pra sipërmarrësit e vegjël ose qytetarët e thjeshtë që bëjnë të tilla lëvizje në panik.
Po a ka zgjidhje një situatë e tillë? A mundet që të kemi një treg i cili të mos na ekspozojë karshi rreziqeve të panevojshme si këto?
Para së gjithash duhet të kuptohet se asnjë instrument financiar apo alternativë investimi nuk mund ta ketë rrezikun zero. Detyra dhe aftësia e agjentëve ekonomikë apo ndërmjetësve financiarë që i këshillojnë ata është pikërisht t’i minimizojnë sa më shumë të jetë e mundur këto rreziqe.
Transparenca është element mjaft i rëndësishëm në tregjet financiare, pasi ajo jo vetëm krijon besim tek investitorët, por ul kostot dhe zvogëlon mundësitë për të abuzuar me çmimet nga ndërmjetësit financiarë dhe agjentët e tjerë ekonomikë.
Kjo kërkon një treg valutor të zhvilluar e transparent, ndryshe nga tregu i fragmentarizuar që ekziston aktualisht.
Në ditët e sotme qytetarët dhe agjentët ekonomikë përdorin si nivel reference ( ‘benchmark’) kurset e këmbimit valutor të publikuara nga operatorët e mëdhenj të tregut, të cilët e përcaktojnë politikën e çmimeve në varësi të interesave të tyre tregtare apo investuese.
Kjo bën që shumë investitorë të vegjël të orientohen gabim në vendimet e tyre të shkëmbimit valutor apo të investimeve, për shkak se i marrin ato në bazë të informacioneve të njëanshme të operatorëve të tregut.
Për këtë arsye, ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një treg transparent valutor—treg të shkëmbimit të kartmonedhave të huaja—i cili duhet të jetë i paanshëm dhe i pakontrolluar nga pjesëmarrësit, duke garantuar çmimeve të padeformuara dhe zvogëlim të rrezikut për pjesëmarrësit në treg, sidomos të publikut.
Bursa Shqiptare e Titujve ALSE ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të ofruar mundësinë e një tregu të brendshëm valutor, ku operatorët, të mëdhenj e të vegjël, të ekzekutojnë transaksione transparente, përmes konkurrencës së lirë e të ndershme.
Deri tani, kjo ka qenë e pamundur, kryesisht për faktin se monedhat e huaja nuk konsiderohen “tituj” nga kuadri ligjor dhe rregullator në Shqipëri.
Ligji i ri për Tregun e Kapitalit, i përgatitur nga Banka Botërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi, krijon hapësirën e nevojshme ligjore për të tregtuar valutat në bursë, në mënyrë indirekte nëpërmjet titujve të strukturuar.
Një tjetër pengesë për të realizuar një treg të organizuar të valutës në Shqipëri ka qenë mungesa e infrastrukturës teknike për klerimin—një term teknik që nënkupton transferimin e parave mes blerësit dhe shitësit— e të gjitha transaksioneve në valutë të huaj.
E thënë më thjeshtë, transaksionet në Lek kompensohen në Bankën e Shqipërisë (BSH) nëpërmjet sistemit kombëtar të pagesave që quhet “AIPS”—pasi llogariten të gjitha pagesat që operatorët ekonomikë i kanë dërguar njëri-tjetrit, çdo operator kompensohet, pra i dërgohet fizikisht paraja në vlerën shumatore të të gjitha transaksioneve ku ai është i përfshirë.
Deri më sot ka munguar një sistem që të realizojë të njëjtin funksion për valutat e huaja në Shqipëri. Megjithatë, nga viti 2019, BSH-ja po punon në një projekt ambicioz për të ofruar edhe shërbimin e klerimit të valutave të huaja brenda vendit—një sistem i ngjashëm me AIPS— që do të kompensojë pagesat në valuta të huaj.
Të dy këto faktorë, si baza ligjore ashtu edhe infrastruktura teknike, na bëjnë të besojmë se po krijohen kushtet që në një të ardhme të afërt, me vullnetin pozitiv dhe mbështetjen e rregullatorëve, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE të mund të ofrojë për investitorët një treg të kushtuar posaçërisht për produkte financiare të valutave të huaja, duke plotësuar një nevojë të domosdoshme për tregun valutor në Shqipëri.