Zjarre të egra kanë përfshirë një pyll pranë Çernobilit, duke shqetësuar banorët e Ukrainës për rritjen e nivelit të rrezatimit të dëmshëm për shëndetin.
Një video e postuar nga një operator turistik tregon flakë dhe tym që ngrihet pranë rrethimit të reaktorit bërthamor të Çernobilit, vendit të katastrofës bërthamore më të rëndë në histori në prill të 1986-ës.
Operatori turistik, Yaroslav Yemelianenko, shkroi se zjarri kishte arritur në qytetin e braktisur të Pripyatit dhe ishte vetëm 2 kilometra larg nga termocentrali bërthamor dhe siti i depozitimit të mbetjeve radioaktive Pidlisny. Në këto zona gjenden ende makina, hekura dhe materiale të tjera të kontaminuara që nga shpërthimi i 1986-ës, të cilat do të lëshojnë rrezatime nëse kapen nga zjarret.
Yemelianenko, njëkohësisht anëtar i një bordi këshillues në shërbimin e urgjencës së Ukrainës, akuzoi qeverinë se po fsheh situatën.
Më 13 prill, shërbimi i urgjencës së Ukrainës tha se zjarri ishte “i vështirë”, por i kërkoi qytetarëve të jenë të qetë, duke thënë se të gjitha nivelet e rrezatimit në Kiev dhe zonat përreth, ishin normale.
“Gjëja kryesore që mund të themi është se nuk ekziston asnjë kërcënim ga zjarri për stacionin e energjisë bërthamore, mbetjet e kontanimuara dhe vendet e tjera kritike në zonën e ndaluar të Çernobilit,” tha agjensia.
Agjensia njoftoi se 310 zjarrfikës dhe dhjetëra kamionë zjarri, si dhe tre avionë dhe tre helikopterë ishin vendosur për të shuar zjarrin.
Më 13 prill, një ekspert shpejgoi për Reuters se zjarret ishin më të mëdha se vlerësimet zyrtare të Ukrainës dhe mund të paraqesin një rrezik për shëndetin.