Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTR) rihapi të martën zyrat për shërbimet e saj të zakonshme duke u mundësuar qytetarëve sërish mundësinë e rinovimit të patentës apo kolaudimit të makinave.
Prej 13 marsit, DPSHTR kishte mbyllur shërbimet për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Deri më sot, autoritetet kishin vendosur të toleronin qytetarë që u kishte përfunduar afati i dokumentave.
Sot Drejtoria vendosi rihapjen e shërbimeve me orare dhe stafe të kufizuara për zyrat e saj në Tiranë dhe Durrës.
Qytetarët do të kenë mundësi të regjistrojnë makinat, të kryejnë kolaudimin, të nxjerrin patenta ndërkombëtare, t’i konvertojnë apo t’i rinovojnë ato.
Të gjitha këto shërbime ishin pezulluar që prej datës 13 mars, teksa qytetarët u njoftuan se ndaj tyre nuk do të kishte penalizim.
Për rinovimin e patentës dhe shlyerjen e taksave, qytetarët e kryeqytetit duhet t’i drejtohen zyrave në Bulevardin Gjergj Fishta, te ish-ndërmarrja shtetërore e riparimit të autoveturave dhe kamionëve (NSHRAK).
Ndryshe nga zakonisht ku shërbimi ofrohej edhe në fundjavë, tashmë do të jetë nga e hëna në të premte, në oraret 8:00-16:00 – rezervo këtu.
DPSHTR u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë distancat dhe masat parandaluese të infektimit nga Covid-19 dhe të shmangin grumbullimet në zyrat e shërbimeve duke rezervuar takimin.