Të gjithë politikanët më të rëndësishëm të vendit i uruan sot festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë përmes postimeve në Facebook.
Presidenti Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët ortodoksë dhe bëri thirrje për lutje për të prekurit nga pandemia e për mjekët, të cilët ndodhen në vijën e parë të luftës me këtë virus.
Kryeministri Edi Rama i uroi besimtarët përmes një postimi në Facebook ku shkruan:
“Në këtë kohë të çuditshme tempujsh të kyçur, vijnë edhe Pashkët Ortodokse, pa kishat hapur por me Zotin pranë çdo familjeje që sonte feston. GËZUAR PASHKËT”
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha uroi në mënyrë të veçantë personelin shëndetësor, mjekët e infermierët të cilët po luftojnë me koronavirusin. Në një postim në Facebook, ai shkruan:
“Sot, urimet dhe lutjet tona të para, janë për të gjithë anëtarët e familjes tonë të madhe që përballen me virusin dhe pasojat e tij, për mjekët dhe infermierët tanë kurajozë e të palodhshëm, për të gjithë ata që shërbejnë me sakrifica të mëdha për të na mbrojtur dhe ndihmuar.”
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi shkroi në një postim në Facebook se “masat e distancimit fizik prej pandemisë nuk duhet të na ndajnë shpirtërisht nga njëri-tjetri dhe nga zakonet tona të mira.”