Profesor Artan Fuga, një nga intelektualët publikë më të zëshëm në vend, ka zgjedhur sarkazmën për të kritikuar mburrjen e Partisë Demokratike me propozimet e saj sipërfaqësore për daljen nga gjendja e izolimit të koronavirusit.
Duke imituar formën dhe gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e lartë të PD-së për të promovuar pesë propozimet e tyre, Fuga postoi, të dielën, në faqen e tij në Facebook, 5 pika për “daljen nga mbyllja e daljes”.
Propozimet e Fugës “konkurojnë” pesë propozimet e PD-së duke qenë qëllimisht të një niveli elementar dhe pa përmbajtje. Të shkurtuara ato janë:
1. Të fryhen dhe rrotat e makinave dhe autobuzëve sespe u bënë javë pa u kontrolluar.
2. Të lihen njerëzit të flenë natën vonë dhe të shohin ëndrra.
3. Të zbulohen ata që më pas do të infektohen nga viruse të tjera sepse duhet menduar për të ardhmen.
4. Të shihen me kujdes delet, dhitë, pëllumbat sepse ka të dhëna që lakuriqët e natës sidomos natën shkojnë dhe i takojnë pa leje.
5. Të bëhet kujdes që të mos pihet ujë veçse nëpërmjet buzëve dhe grykës meqë kështu zvoglohen vrimat nga mikrobi mund të hyjë.
Plani i PD-së, i reklamuar si strategji e përgatitur nga “ekipi i ekspertëve” të partisë, përbëhet nga dy prioritete të përbotshme dhe tre deklarime të përgjithshme për shëndetësinë pa ndonjë përmbajtje specifike apo ndonjë nivel ekspertize:
1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik.
2. Pajisja masive gratis me maska të qytetarëve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”.
3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes.”
4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve.
5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara.
Fuga nuk ka shënjestruar vetëm planin e PD-së, por ai ka ironizuar edhe një nga thëniet më të përsëritura me të cilën Kryetari i PD-së Lulzim Basha shoqëron zakonisht diskutimin publik të propozimeve, këshillimin e qeverisë që të “mos ketë ketë asnjë kompleks” të marrë idetë e opozitës sepse ato janë për të mirën e vendit.
Fuga shkruan: “Qeveria të mos ketë asnjë inferioritet, por le t’i marrë këto këshilla dhe sugjerime dhe t’i zbatojë sepse nuk ka problem. Për shëndetin e popullit ne nuk kërkojmë të drejta autori!”
Në fund, Fuga ka ironizuar gjithashtu edhe qasjen e PD-së për të denoncuar abuzimet e pretenduara me tenderat e zhvilluara këtë periudhë, ndërkohë që ka heshtur për skandale të mëdha dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, Kushtetutës dhe përqendrimin e pushtetit tek Kryeministri Rama.
“Këshillën e gjashtë do t’a japim radhën tjetër! Por dihet që ka të bëjë me tenderin e letrave higjenike dhe të pecetave në rast menstruacionesh! Korrupcioni që po çfaqet aty o bo ves i keç!” përfundon Fuga komentin e tij sarkastik.