Presidentja e Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack sulmoi sot Kryebashkiakun Veliaj për mosrespektimin e vlerave europiane dhe vlerësimit që Europa Nostra i bëri Teatrit Kombëtar duke e përfshirë në listën e siteve të rrezikuara.
Në dy postime në Twitter, Pack shkruan se si Veliaj do ta shembë teatrin sapo të mbarojë pandemia e Covid-19.
Pack akuzoi Veliajn dhe Ramën se nuk janë të besueshëm dhe kanë respekt për vlerat europiane, baza e Bashkimit Europian, ku synojnë të integrojnë vendin e tyre:
“Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj nuk tregoi respekt për vendimin e Europa Nostras për të përfshirë Teatrin Kombëtar në listën e trashëgimisë kulturore europiane, i cili duhet ruajtur dhe mirëmbajtur. Ai premtoi se do të vazhdojë me shembjen e teatrit menjëherë pas përfundimit të situatës pandemike. Ç’politikan i turpshëm!
Europa Nostra e shpalli Teatrin Kombëtar të sigurtë, por socialistëve si Rama dhe Veliaj nuk i interesojnë vlerat europiane, të cilat janë baza e BE-së ku ata synojnë të integrojnë Shqipërinë. A janë politikanë të besueshëm?”
Reagimi i Doris Pack vjen disa ditë pasi Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se vendimi për të prishur apo jo Teatrin Kombëtar, duhet marrë nga drejtuesit lokalë dhe jo nga ndërkombëtarët.
Në një intervistë për News24, pyetur për kundërshtimin e eurokomisioneres Mariya Gabriel për prishjen e teatrit, Veliaj tha se kundërshtime të tilla ka pasur dhe në raste të ngjashme në Firenze, por se kryebashkiaku i saj nuk u tregua inferior:
“Pyetje me spec se nuk bëhet fjalë të dalësh kundër BE. Por edhe kryebashkiaku i Firencës nuk sillet si inferior dhe t’ia vendosë BE nëse do shembet apo jo.
Është vendim lokal. Vendimet në Shqipëri merren nga njerëz që jetojnë në Shqipëri. Dhe Tirana duhet të ecë përpara.”
Në fillim të prillit, Komisionerja e BE-së Mariya Gabriel mbështeti nismën e organizatës Europa Nostra për të ruajtur 7 sitet më të rrezikuara të kontinentit, pjesë e së cilave është edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Më 24 mars Europa Nostra e përfshiu Teatrin Kombëtar në listën e 7 siteve më të rrezikuara kulturore, ku bëjnë pjesë disa kështjella në Çeki, Serbi, Itali dhe disa ndërtesa të tjera në Norvegji, Slloveni dhe Poloni.
Europa Nostra tani do të angazhohet të përdorë gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e Teatrit, përmes projekteve restauruese.
Për të lexuar më shumë për projektin e qeverisë dhe bashkisë për Teatrin Kombëtar, lexoni këtu dhe këtu.