Dje, Kryebashkiaku Veliaj u tërhoq nga taksa e tavolinës dhe uli taksën e zënies së hapësirave publike. Marrëveshja mes sipërmarrësve dhe Kryebshkiakut u arrit pas disa protestash e takimesh.
Kështu, taksa mujore e tavolinës prej 2 500 lekë për tavolinë u hoq, ndërsa taksa e zënies së hapësirës u përshkallëzua sipas zonave të bashkisë Tiranë. Me vendimin e datës 30 dhjetor 2015, këto taksa ishin shumëfishuar. Nga muaji mars e në vazhdim:
- Zona A është zona e Bllokut dhe Bulevardit dhe do të taksohet me 1500 lekë për metër katrorë në muaj.
- Zona B është zona brenda Unazës dhe do të taksohet më 750 lekë për metër katror në muaj.
- Zona C është pjesa tjetër e Tiranës dhe do të taksohet më 400 lekë për metër katror në muaj.
- Periferia e Tiranës do të taksohet me 200 lekë për metër katror në muaj.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi, gjithashtu, se për muajt janar dhe shkurt do të aplikohen tarifat e vjetra, meqë bizneset nuk ishin lajmëruar për ndryshimet.
Vendimi Nr. 59 i Këshillit Bashkiak Tiranë ndryshoi dhe rriti shumë nga taksat dhe tarifat vendore, të cilat rëndojnë më shumë mbi biznesin e vogël. Sipërmarrësit e biznesit të vogël dhe tregtarë, prej javësh, kanë protestuar kundër vendimit dhe kanë kërkuar uljen e tyre.