Intervista — Sonila Meço: —’Gazetarët shqiptarë duhet të luftojnë për lirinë e medias pa mbështetjen e qeverisë’

Intervista — Sonila Meço: —’Gazetarët shqiptarë duhet të luftojnë për lirinë e medias pa mbështetjen e qeverisë’

Sonila Meço është gazetare, figurë televizive dhe lektore ekonomie. Ajo është një nga gazetaret më në zë në Shqipëri dhe ka qenë jo pak shënjestër e sulmeve, dhunimit të të drejtave të saj dhe kërcënimeve. Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Medias ajo flet me Exit News rreth klimës së tanishme për gratë dhe vajzat në gazetari dhe për mënyrat si mund të ecim përpara si shoqëri.

Si do ta pëshkruanit klimën e tanishme të medias në Shqipëri?

Kjo intervistë përkon në kohë me publikimin e raportit të Platformës së Këshillit të Europës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarëve dhe Sigurisë së Gazetarëve për vitin 2019. Sulmet, shantazhet, kërcënimet dhe burgosjet janë rritur ndjeshëm në shumë vende të Ballkanit, Europës Lindore me një zgjerim edhe në Europën Perëndimore, nga vëzhgimi i 14 organizatave ndërkombëtare të lirisë së medias, pjesë e platformës.

Si asnjëherë më parë, Shqipëria pozicionohet krahas vendeve si Rusia, Turqia, Hungaria, Ukraina ku sulmi ndaj mediave është normë, me 11 raste të raportuara. Në Shqipëri nuk është hera e parë, që mbyllen media e programe kritikë ndaj qeverisë me urdhër pushtetarësh e politikanësh, tashmë të vërtetuara edhe nga drejtësia ndërkombëtare, por kësaj here raporti ka hyrë në zemër të fenomenit, duke përmendur qartësisht emra gazetarësh, mediash, pronarësh nën presionin flagrant të zyrtarëve publikë.

Dhe mu bash për këtë arsye, Shqipëria merr një kapitull të veçantë si kurrë më parë. Duke shtuar ligjin për median online të propozuar nga kryeministri i vendit, sulmet fizike ndaj gazetarëve në protesta, ndërhyrjet për kontrollin e informacionit në kohën e tërmetit të 26 nëntorit etj.

Këtu nuk jemi në nivele opinionesh, por faktesh dhe ngjarjesh të dokumentuara, të cilat nuk lënë asnjë hapësirë si për propagandën, apo skeptikët kronikë të krijojnë alibira. Mandej, situata e pandemisë krijoi habitat edhe më pjellor për vendet me liri të kufizuar të medias dhe jo vetëm për shtrirjen e sulmeve, kërcënimeve e rreziqeve për gazetarët.

Përgjysmimi i pagave, pezullimet nga puna, prishja e kontratave për shkak të presionit nga ana e të ardhurave prej reklamave (të ulura ndjeshëm prej bllokimit të aktivitetit tregtar) i dhanë edhe më shumë mundësi pushtetit e zyrtarëve publikë të ndërhyjnë aty ku ndjejnë rrezikun e denoncimit. Thirrjet e hapura për të konsideruar median “armike” në “luftën” me koronavirusin, pagëzime nga vetë pushteti me zë e figurë, përvijuan edhe më kthjellët frontet e një beteje nisur herët nga një pushtet gjithnjë e më autoritar.

Madje personalisht, në mënyrë të hapur dhe agresive jam sulmuar e kërcënuar online në përpjekjen për të kërkuar transparencë në kohë mugëtire për informacionin në shërbim të interesit publik. Sulme të mbërritura nga zëvendës kryeministri i vendit, nga platforma e tij online, ku frymëzonte kërcënime flagrante ndaj meje si gazetare dhe kolegëve të mi.

Fakti u denoncua nga Platforma e Gazetarëve të 14 organizatave ndërkombëtare, u publikua në hartën online të kërcënimeve serioze të shtypit. Asnjë reagim, asnjë reflektim. Përkundrazi, gjuha e komunikimit të zyrtarëve ashpërsohet dita ditës, që media dobësohet financiarisht, burimesh njerëzore e moralisht për shkak të gjendjes së emergjencës prej pandemisë.

A ndikon këtu fakti i të qenurit gazetare grua?

Në thelb jo, ashpërsia e reagimit nga zyrtarët e lartë nuk tutet para gjinisë, por pasojat sigurisht prodhojnë sfonde kërcënimesh denigruese me bazë gjinore. Për këtë mjafton të lexohen e dëgjohen termat e përdorur prej sulmeve të ushtrive mercenare pas adresash false në rrjet për të kuptuar se si duhet të ndihet nëna, gruaja, bashkëshortja, bija pas gazetares nën atë furtunë komentesh frymëzuar nga tituj e përcaktime qeveritarësh, apo mediash vënë në shërbim kryekëput ndaj pushtetit.

Programet kryesore të aktualitetit drejtohen edhe nga gra e vajza, duke konkuruar në cilësi e shikueshmëri shumë fort ato të drejtuara nga gazetarë burra. E kam thënë, e them dhe do ta mbroj ngahera idenë se nuk mund të jetë as privilegj e as dobësi të qënurit grua në media.

Jo për ne që bëjmë media, së pari. Të qenurit objektive, kërkuese, të paqeta deri në mbërritjen tek e vërteta, të sakta dhe roje të interesit publik janë kritere, që vlejnë njëlloj për burra e gra në këtë profesion. Nëse pushteti e zyrtarët, të kërcënuar nga kritikat, denoncimi, gërrmimi drejt burimit të aferave korruptive e kanë më të lehtë me një a tjetër gazetar, kjo vlen njëlloj si për burrat e për gratë. Ndaj diferencën e bëjnë profesionistët, të guximshmit, të drejtët.

A kanë qënë e mbeten të diskriminuara gratë e vajzat për poste të rëndësishme drejtuese në media? Po!

A kanë qënë e mbeten të diskriminuara gratë e vajzat në trajtimet financiare? Po!

A janë objekt më i lehtë sulmi nga pushtetet, zyrtarët e autoritetet? Po!

Por kjo është njëra anë e medaljes. Sepse mentalitetet e politikanëve, pronarëve mediatikë e një pjese të shoqërisë vërtiten në ujrat e ndenjura të diskriminimit, por ka evoluar dukshëm përpjekja e grave dhe vajzave të arrijnë lart, me dyfishin e sakrificës, punës e përkushtimit. Drejtuese në media, moderatore programesh të rëndësishme prime time, reportere të guximshme të kronikës, gazetare investigative sot ka plot.

Ekzistenca e tyre dëshmon fuqinë e tyre për t’ja dalë, por nuk zhbën dot përpjekjen e ndyrë të njerëzve të caktuar me pushtete politike, ekonomike e mediatike për t’i goditur dukshëm e padukshëm në përkatësinë e tyre gjinore, si i vetmi argument ku besojnë se iu ecën autoriteti e kërcënimi.

Mungesa e kohezionit dhe bashkëpunimit brenda organizimeve të gazetarëve, sindikatat e munguara të profesionit, kriza ekonomike e financiare prodhuar nga pandemia, forcimi i sjelljeve autoritariste në kushtet e situatave të jashtëzakonshme, që prodhojnë masa të jashtëzakonshme me përdorim makiavelist (mjeti justifikon qëllimin) e bën gjithnjë e më të vështirë situatën e medias dhe gazetarëve në Shqipëri.

Rreziku i përshkallëzimit të situatës në dëm të lirisë së medias tashmë është “covid-i” i interesit publik. Dhe kur përplasja po njeh fronte gjithnjë e më të artikuluar në tempullin e etërve të demokracisë, mund të imagjinohet lehtësisht se ç’mund të prodhojë në vendin pa Gjykatë Kushtetuese e të Lartë, pa opozitë institucionale, me parlament jo kushtetues, në perimetrin e monizmit, me shoqëri të dobët civile, pa mekanizmi kontrrollesh e balanca pushteti.

Çfarë këshille do t’u jepnit gazetarëve të rinj në kontekstin e sfidave të tanishme?

Nuk mund t’ja dalin të vetëm gazetarët. Ky është sistem, makineri e rëndë, organizim i shtresëzuar mirë me kohë, që nuk përballohet dot i vetëm nga një kategori shoqërore a profesionale.

Këtu duhet organizim mbarëshoqëror, në përpjekje për një rithemelim të sistemit politiko-ekonomik, të risjelljes së pluralizmit, të riaktivizimit të burimeve, të legjitimimit të zgjedhjeve, të rikthimit të përfaqësimit, të riformëzimit të shoqërisë civile, të rizgjimit të ndërgjegjes qytetare për të drejtat që i takojnë, për kërkim llogarie, për dinjitet.

Tani që po përgjigjem për këtë intervistë shoh ende pamjet e njerëzve të armatosur pranë parlamentit lokal në Michigan, kundër vendimeve të guvernatores dhe argumentimin e tyre se çdo akt i ndërmarrë prej tyre në mbrojtje të të drejtave buron nga amendamentet e një Kushtetute themeluar shekuj më parë. Duam s’duam kjo është Amerika e sotme.

Ndërsa në Shqipëri zyrtarët po tentojnë të prodhojnë vetë revolucione kundër të pasurve, ndërsa krijuan me bindje sistemin oligarkik, duke vrarë njëherazi Kushtetutë, institucione, drejtësi, mirëqënie dhe zgjedhje, mund ta imagjinoni se çfarë deformimi demokratik po ndodh tek ne.

Për t’i shkuar deri në fund përgjigjes, gazetarët në kohë paqeje dhe lufte duhet t’ja dalin pa mbështetjen e qeverisë, duke u bërë pjesë e një beteje të pashtershme për liri mendimi e shprehjeje, duke lënë borderotë, përfitimet dhe konsultimet nga zyrat e shtypit të propagandës. Nëse nuk ia dalim të jetojmë dot kështu, ka plot profesione për të siguruar bukën e gojës, por veç gazetarë mos quhemi më.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>