Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e quajti ‘grabitjen e radhës të qeverisë’ vendimin për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Në një status në Facebook, Zonja Kryemadhi u shpreh:
“Ditën e Europës, ditën e vlerave, qeveria e oligarkëve bëri aktin e radhës të grabitjes së tokës së Teatrit Kombëtar duke ia kaluar Bashkisë së Tiranës. Ky veprim i qeverisë së PPP-ve është një akt skandaloz dhe i turpshëm!
Edi Rama po përdor mashën e tij, Erion Velinë për të nxjerrë nga zjarri “gështenjat” që vlejnë 200 milion euro!”
Zonja Kryemadhi tha se përgjegjësit për të ‘vepër kriminale’ duhet të dalin përpara drejtësisë.
Ajo e mbylli postimin e saj duke thënë se ‘vlerat historike, qytetare dhe kombëtare do të triumfojnë përballë babëzisë së Rilindjes!’
Më 8 maj u bë publik vendimi i qeverisë për t’i kaluar tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.
Kalimi i tokës në pronësi të Bashkisë Tiranë mund të jetë hapi i parë drejt shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar aty sipas projektit të qeverisë, një teatër të ri.
Projekti i qeverisë, sikurse kemi argumentuar, lë të lirë rimarrjen e projektit të zhvillimit nga privatët të zonës pas teatrit, përfshi tjetërsimin e tokës publike në favor të privatëve.