Ndoshta e kam nga mosha e papërvojë, ndoshta nga përpëlitja që ndjej mes ndjelljes mendore për të ikur dhe asaj shpirtërore për të qëndruar, por kam muaj që turturoj veten me pyetjen, që herë më duket banale e herë si më e rëndësishmja në botë: Perse nuk shkojnë gjërat në këtë vend?
Përse në shqiptarët nuk jemi të njejtët njerëz si këtu, si kur jemi jashtë?
Ia kam drejtuar këtë pyetje qindra herë miqve të mi e thuajse të gjithë më përgjigjen me një përzierje mes naivitetit dhe cinizmit: “Të bën vendi.”
Kam pesë muaj qe jam kthyer nga jashtë dhe akoma nuk po përshtatem dot. Më bën çudi, jam në vendin tim, me familjen time, me po ata miq që lashë dikur.
Pesë muaj nuk m’u desh të përshtatesha as në një vend të huaj, ku askush nuk fliste gjuhën time, ku nuk e vendosnin dot Shqipërinë në hartë. Mbi pesë mijë kilometra larg shtëpisë, asgjë nuk ishte njësoj. Por prap, sa thjeshtë përshtatet njeriu.
Nuk e dija se mund të ndihesh i huaj në vendin tënd. Të huajt duken gjithmonë të hutuar, nuk dinë nga të shkojnë, nuk janë të sigurtë çfarë të thonë, kujt ti flasin. Tani unë ndihem njësoj si ata, por ndryshe nga ata, ju mua më shihni si pjesë e juaja.
Shumë mendojnë se është e lehtë ta lësh vendin, familjen, punën, miqtë, e të shpërngulesh diku në botë.
Të tjerë thonë se ne që jemi këtu e do ta bëjmë Shqipërinë sepse jemi më të zotët e më patriotet ngaqë ndenjëm këtu. Se ata që ikin, dorëzohen, se ata që ikin, duan lluks dhe rehati.
Sa pak dinë këta, por edhe sikur shumë të dinë, sa të shkurtër e kanë gjykimin!
Jam e nxehur me njerezit, dhe nuk ndihem as në faj për këtë gjë.
Ja si është puna.
Të dy prindërit e mi janë të persekutuar. Ata betohen se e urrejnë komunizmin dhe gjithçka që krijoi ai regjim.
Por, prapë, pas rënies së komunizmit, prindërit e mi zhgënjeheshin sa herë që partia e tyre vinte në pushtet dhe nuk i punësonte. “I kemi shërbyer gjithë jetën, kemi qenë besnik, s’e tradhtuam kurrë,” ishte logjika nga buron e “drejta” e tyre për t’u punësuar në admisnitratën publike kur partia vjen në pushtet.
Prindërit e mi thonë se nuk janë komuniste, dhe tani ju betohem unë, ata nuk janë aspak. Por janë rritur në komunizëm, dhe atëherë njerëzit mendonin se po t’i shërbeje një kauze, një partie, një drejtori, një zyrtari, herët a vonë do shpërbleheshe nga partia për besnikërinë dhe shërbimin. Me këtë mentalitet komunist, prindërit e mi antikomunsitë kërkojnë të punësohën nga partia antikomuniste.
Natyrisht, drama e papunësisë, e varfërisë, e mungesës së mundësive në sistemin e ri që duhet të krijonte mundësi e mirëqenie por nuk i krijoi, në vend të tyre krijoi në komunizëm, dhe ne i morëm me vete në demokraci, modelin e militantit, servilit, sekserit, dembelit.
Prindërit e mi nuk janë fajtorë pse mendojnë kështu, nuk janë natyrisht as gjyshërit tanë. Por nuk janë as mësuesit tanë që iu desh brenda 24 orësh të bënin ndryshimin më të madh që i është kërkuar ndonjëherë ndonjë mësuesi, të ndryshojë krejtësisht çdo gjë tek e cila beson apo di.
Une nuk jam nxehur me ta.
Unë jam e nxehur dhe e tërbuar me moshataret e mi.
Djem e vajza të reja që promovojnë dhe ndjekin po te njëjtin model edhe pse kanë lindur shumë vite pas rënies së regjimit.
Unë urrej ata brenda të cilëve është ngjizur mentaliteti i shërbëtorit, të nënshtruarit, servilit dhe dembelit, të atij që beson se po shërbeve, po ndoqe besnikërisht, po nuk kundërshtove kurrë, do bëhesh i preferuari i zyrës, dhe me siguri një ditë do ta drejtosh ti atë zyrë.
Mes nesh mungon modeli i njeriut që mendon, njeriut që punon—mungon modeli i punës së ndershme dhe sakrifices.
Ai që punon, që ka disiplinë, që ka ego, që ka forcë të mendojë i shërben vetes dhe shoqërisë një mijë herë me shumë se çdo servil e dembel në botë.
Kur gjithë jetën, studion, punon, përpiqesh për të arritur qëllimet e tua, ndoshta dhe përtej mundësive, pret dhe është e pashmangshme pritja se një ditë do arrish aty ku dëshiron.
Vlerat e shoqërisë perëndimore ngrihen mbi themelet e shpërblimit dhe njohjes së mundit, dijes, krijimtarisë, ndershmërisë dhe sakrificës.
Por këto gjëra nuk vijnë me manual, sidomos në Shqipëri.
Në një vend ku fiton mediokriteti mbi meritokracine ka vetëm dy zgjidhje, o të largohesh, o të bëhesh si ata të tjerët, që deri tani ti i përcmon.
Fillon e kupton përse nuk shkojnë gjërat në këtë vend. Nuk na e sjellin të keqen të vjetrit, të keqen po e mbjellim vetë.
Një vend në të cilin të rinjtë zgjedhin lëpirjen dhe jo konkurencën, bindjen dhe jo rebelimin, doganjerin dhe jo sipërmarrësin, manipulimin dhe jo drejtësinë ai vend ka shkatërruar të ardhmen.
Aq e vështirë është që ne të rinjtë të ndryshojmë, të jemi perëndimorë?
Të mos hiqemi si europianë por të sillemi si të tillë?
Të mos kalojmë kohën në oborret e partive, por në biblioteka?
Të mos presim rradhën në dyert e forumeve politike por të kërkojmë, të rrezikojmë në sipërmarrje, krijimtari, shkencë e kudo?
Madje a ka mundësi dikush ti mbyllë këto forume? Ato janë kthyer në punishte të mbylljes së mendjes, të kultivimit të servilizmit, të nënshtrimit, të parazitizmit.
Për aq kohë sa partia është e vetmja rrugë që të rinjtë marrin drejt të ardhmes, e ardhmja e vendit është e mjeruar.
Ju biem në qafë të vjetërve. Themi që ata shkatërruan vendin, ata na e hoqën shpresën. Por ne sillemi si ata.
Si ata që kërkonin punë nga partia edhe ne kërkojmë që partia të na bëjë doganier, inspektor, drejtorë, deputet, mbret.
Ne jemi në moshën kur nuk i bihet gjatë, kur duhet të merrnim rrugën e gjatë të njohjes dhe eksplorimit të botës. Rrugën e studimit, të leximit, të eksperimentimit, të krijimit, të eksplorimit të ideve.
Duhet të ishim të pastër, të ndershëm, të pakompromis, të indinjiaur dhe rebelë. Jemi servilë, komformsitë, apatikë.
Kaq e vështirë qenka të të mos lëpihemi, të mos shitemi, të mos vjedhim?
Kaq e vështirë që të rinjtë të mos drejtohen tek suksesi personal, me talentin dhe aftësitë e tyre, tek dëshira për të qënë më të mirët në art, në sport, në shkencë, në sipërmarrje? Tek arritjet që mbajnë ta mbash kokën lart?
Unë besoj që po. Ne mund të jemi ndryshe nga prindërit tanë. Ne duhet të përqafojmë vlerat morale dhe punën.
Kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara e të mos mbetemi peng i përjetshëm i të kaluarës tonë.
Unë dua të besoj se ndoshta një ditë gjërat do të shkojnë përsëmbari në Shqipëri dhe ne të themi me krenari “të bekon vendi”.