
Profesori Gudar Beqiraj ndërroi jetë sot në moshën 72-vjeçare. Profesor Beqiraj ishte anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe personalitet në fushën e peshëngritjes.
Në njoftimin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave shkruhet se:
“Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave.
Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit.
I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”.
Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.
Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit.
Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar”.