Diskutimi në Këshillin Politik do të vazhdojë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
“U mirëkuptuam që debati do të vazhdojë duke ruajtur principet, por duke gjetur dhe zgjidhje pa prekur rekomandimet e OSBE/ODHIR-it”, tha Damian Gjiknuri përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik.
Gjiknuri tha se duke respektuar parimet e OSBE-ODHIR do të shihen edhe shqetësimet e opozitës:
“Kryeministri i është referuar parimit që rekomandimi i ODHIR-it ka qenë i kahershëm: departizim, depolitizim.
Brenda këtij parimi jemi duke punuar që të parimi të qëndrojë, por të adresohen dhe shqetësimet që ka opozita për një sy dhe kontroll politik aty.
E rëndësishme është që vendimmarrja të jetë jashtë partive, por partive të mos u hiqen të drejta si garant përmes rolit që ata kanë për të vëzhguar proceset zgjedhore. Në çfarë shkalle? Këtu jemi duke diskutuar”.
Gjithashtu, ai u shpreh se do të diskutohet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për përbërjen e Kolegjit Zgjedhor:
“Këto janë principe kushtetuese, vetingu është parim kushtetues, e njëjta gjë rekomandimi ka qenë për depolitizim të administratës zgjedhore. Ne jemi duke diskutuar brenda parimit për të gjetur zgjidhje”.