Kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar dialogu me grupet e interesit ka ekzistuar si kurrë më parë.
I ftuar në emisionin Opinion, Veliaj tha se edhe ambasadorët që kishin reaguar publikisht kundër shembjes së teatrit, pasi u sqaruan nga bashkia, i kërkuan ndjesë atij:
“Me komunitetin ndërkombëtar, meqë ju përmendët s’ka pasur dialog, kjo është e pavërtetë, ta korrigjova, është e pavërtetë, ka pasur 12 seanca…
Pasi u informuan, shumica e ndërkombëtarëve, që kryetari i bashkisë para se të fillonin detyrën si ambasadorë kishte qenë 12 herë në 12 seanca, ishte tërhequr nga kulla mbi teatër, nga bashkëpunimi me privatin, atëherë me të drejtë thanë epo u paske dalë borxhit.
Jemi në një situatë ku të gjithë janë sqaruar për dialogun që ka ekzistuar si kurrë më parë.”
Prej më shumë se 27 muajsh, një grup artistësh dhe qytetarësh kanë protestuar çdo ditë tek sheshi i hapur mes dy teatrove, kundër planit të qeverisë për shembjen e teatrit.
Gjatë gjithë kësaj kohë, as kryebashkiaku Veliaj dhe as ndonjë përfaqëues tjetër i qeverisë apo bashkisë, nuk ka tentuar të bisedojë me to.
Të vetmet takime që kanë ndodhur mes artistëve dhe Veliajt, kanë qenë ato të Arben Derhemit, Alfred Trebickës dhe Altin Bashës në korrik 2018.
Pas takimit me Veliajn, Derhemi, Trebicka dhe Basha iu shkëputën grupit të artistëve që kundërshtonin shembjen e Teatrit Kombëtar.