Presidenti i Europa Nostras Hermann Parzinger i kërkon publikisht Bashkimit Europian që të dënojë shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj, në shkelje të ligjeve dhe duke dëmtuar trashëgiminë kulturore.
Përmes një letre dërguar Kryetares së Këshillit të Ministrave të BE-së, Nina Obuljen – Koržinek, Eurokomisionerit për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe ZëvendësPresidentit të KE-së Josep Borrell, Parzinger i bën thirrje BE-së të dënojë shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe shkeljen e shtetit të së drejtës:
“Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi.
Ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi.
Ne i kërkojmë Ministrave të BE-së të ritheksojnë që mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe e kujtesës sonë kulturore dhe historike përfaqëson një nga vlerat themelore të BE-së.”
Europa Nostra thekson se qeveria dhe bashkia nuk morën parasysh rekomandimet e Eurokomisioneres për Kulturën Mariya Gabriel, Europa Nostras dhe gjithë faktorëve të tjerë për të ndalur planet e shembjes dhe për të nisur “një dialog konstruktiv me shoqërinë civile dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore përpara se të marrin ndonjë vendim të pakthyeshëm.”
Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, qeveria shfrytëzoi ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigje për pandeminë COVID19, për të shkatërruar Teatrin:
“Në orët e para të mëngjesit të së dielës, 17 maj, ata dërguan një numër të madh policësh për të rrethuar Teatrin dhe për të arrestuar rreth 30 artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile që kanë mbrojtur teatrin 24/24 orë në ditë për dy vitet e fundit.”
Letra e Europa Nostras vjen pak orë para mbledhjes së sotme virutuale të Këshillit të Ministrave të BE-së në të cilën Ministrat e Kulturës të BE-së pritet të miratojnë konkluzionet e Këshillit mbi “Nxitjen e bashkëpunimit evropian në lidhje me trashëgimininë kulturore në rrezik”.