Prolog…
Mëngjes herët, dhe një zile telefoni tringëllon.
Alo? -Fadromën duhet ta bësh gati tani se kemi punë!- u dëgjua zëri gati i mbytur e në ankth nga ana tjetër e receptorit.
Ish mengjes herët, në të gdhirë të 17 Majit!
Fadroma u drejtua drejt Teatrit Kombëtar, me aq shpejtësi sa mund të marrë një fadromë e rënduar mekanikisht e shpirtërisht. Po gdhinte një ditë e re, një histori e re po lindte!
Vazhdimi….
Teatri u shkatërrua! Është një gjë e vështirë për tu përshkruar, ndjenjë që çuditshëm të lodh, nuk të lë të mendosh, të paralizon pa siguruar një përgjigje të shkurtër nga mendja.
Ndërmend më shfaqen filma të Hollivudit që të tmerrojnë me skenarë apokaliptikë, ku priren të përdorin shkatërrimin e ndërtesave dhe strukturave ikonike si imazhin e tyre. Pamjet në këto filma të krijojnë ndjesinë që Nju Jorku është shndërruar në një djerrinë, jo sepse realisht shohim një djerrinë, por sepse kamera ka fiksuar vetëm pishtarin e mbajtur lart me Statujën e Lirisë që shikon dukshëm nëpër rërërat që tani kanë përmbytur qytetin. Efekte të paimagjinueshme, ndjesi frike dhe terrori! Kam pyetur shpesh artiste, kineastë e regjizorë se përse këto imazhe të japin kaq fuqishëm ndjenjën e shkatërrimit, dhe janë shumë më efektive dhe tmerruese sesa imazhet e qenieve njerëzore që vdesin? Përgjigjet që kam marrë kanë qenë që nga ato mbi efektet artistike që luan Hollivudi, deri tek parashikimet shkatërrimtare të njërëzimit.
Pamjet e fadromave goditëse të Teatrit Kombëtar, marrë qartazi nga lartësia e tarracës së Ministrisë së Brendëshme flisnin atë mëngjes Maji për shkatërrim, përcillnin efekte apokaliptike: tymnajë pluhuri dhe rëre, njerëz që vraponin mes klithmave. Dikush jo më kot ish kujdesur për këtë imazh, sepse ato pamje, ashtu si në filmat Hollivudian flasin për shkatërrimin e një qyteti të tërë, një shoqërie, një kombi, një civilizimi dhe një mënyrë jetese. Shkatërrimi nuk i përkiste veç Teatrit, por brezave të tërë që e ndërtuan dhe e ruajtën.
Teatrin e shkatërruan, nuk e shëmbën! Dukej që e kishin me ngut, jo për kullat që do ndërtojnë, por për tu dhënë një mësim “të pabindurve”, që prej muajsh u kthyen në symbol të qendresës, shprësës e civilizimit të këtij qyteti. Teatri- jo godina, krijoi një kazus politik, shkatërrimi i tij vjedhurazi është symbol I grabitjes tinzare dhe shakatërrimit të cdo vlere lirie e demokracia në këtë vend, tashmë të marrë peng nga timonierët e pushtetit. Por këto të fundit nuk “kanë parë gjë akoma”, sepse teatrin perspektiv atë të së ardhmes, e luajnë bukur një trupë aktorësh të rinj..është rradha e tyre!
Epilog…I dërrmuar nga dhimbja, nga lodhja, nga zgjimi hajdutce ne mes të natës, por edhe nga levizjet e pabindura të fadromës së tij mbi Teatrin që heshtazi rënkonte, fadronisti i kthyer në shtëpi i hodhi një sy asaj dhome të vogël ku kish filluar të jetonte pasi i shkatërruan shtëpinë tek Astiri.
Familja e tij ende flinte gjumë!