Presidenti Meta përkujtoi sot revoltat e Qafë Barit dhe Spaçit, dy burgjeve më të egër të diktaturës komuniste.
Përmes një postimi në Facebook, Meta theksoi se qytetarët sot duhet të frymëzohen nga ato revolta dhe t’u bashkohen lëvizjeve qytetare që sot po ngrihen për të rivendosur në vend demokracinë:
“Sot kur shohim ku ka rënë demokracia jonë, nderimi i vetëm që mund dhe duhet t’u bëjmë sakrificave të tyre është t’u bashkohemi lëvizjeve qytetare që po ngrihen në të gjithë vendin për të krijuar një front të bashkuar për rivendosjen e demokracisë përmes Zgjedhjeve të Lira e të Ndershme.”
Meta vlerësoi qendresën e artistëve për 27 muaj dhe ftoi qytetarët t’i bashkohen asaj.
Revolta e Qafë Barit
Ajo që tashmë njihet si Revolta e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984 kur dy të burgosurit politikë Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla nuk realizuan dot normën dhe policët donin t’i ndëshkonin me izolim.
Dhuna e policëve ndaj tyre bëri që një numër i madh të burgosurish të ndërgjegjësoheshin dhe t’u dilnin zot duke u përleshur me sende rrethanore me ta. Me situatën e rënduar policët u urdhëruan të qëllonin me armë nga ku u plagos Kostandin Gjordeni.
Njëjtë sikurse kishte vepruar me revoltën e Spaçit 21-23 maj 1973, dhjetëra të burgosur u ridënuan rëndë edhe në Qafë-Bari, ndërsa Sokol Sokoli e Tom Ndoja u pushkatuan.
Studiuesit e periudhës së komunizmit kanë gjetur në arkiva një shënim të Ministrit Hekuran Isai, i cili teksa urdhëronte ekzekutimet e tyre shkruante: sytë t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore.