Komisioni Evropian ka shtyrë publikimin e raportit të përparimit të Shqipërisë për në tetor 2020 – çdo vit ky raport publikohet në qershor.
Lajmi u bë publik nga eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.
Javën e kaluar, edhe botimi i paketës për zgjerimin e BE-së dhe raportet e përparimit nga vendet kandidate u shtynë përsëri në tetor, raportoi Radio Europa e Lirë.
Shtyrja e raporteve është bërë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe mungesës së burimeve njerëzore për të hartuar dokumentet, të cilat përfshijnë një analizë të reformave, përparimit dhe përafrimit të legjislacionit vendas me atë të BE-së për secilin vend kandidat. Pritet që bashkë me raportet, KE të hartojë dhe një plan ekonomik me investime për secilin vend.
Ndërsa në qershor, Komisioni do të paraqesë kornizat e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, brenda afateve të planifikuara pasi të dy vendeve iu dha dritë jeshile për të hapur bisedimet e pranimit në BE muajin e kaluar.