Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri sqaroi të martën vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit Politik:
- Zvogëlimi i periudhës zgjedhore;
- Kuotat gjinore dhe dënimet për ata që nuk i respektojnë;
- Varianti i financimit miks të partive politike.
“Ramë dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore, përkatësisht në datat 15 prill-15 maj, ose 15 tetor- 15 nëntor. Është një periudhë shumë e mirë për të bërë zgjedhje në Shqipëri, pasi edhe klima është më e mire,” sqaroi Gjiknuri pas mbledhjes së Këshillit Politik.
Lidhur me financimin e partive ai u shpreh:
“Ramë dakord që të kemi dhe financimin miks, pra financim nga qeveria, dhe pjesa tjetër nga donacionet, por duke e ulur në një raport më të pranueshëm.”
Ndërsa për kuotat gjinore sqaroi se në listat e reja të partive, një në tre emra do të jetë nga gjinia femërore.
Gjiknuri u shpreh i kënaqur me punën e këshillit sot.
Mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të mbahet ditën e enjte, 28 maj.