Departizimi i administratës zgjedhore, përdorimi i tekonologjisë në zgjedhje dhe sistemi zgjedhor janë tre çështjet e fundit që Këshilli Politik do të diskutojë sot dhe nesër, për të mbyllur brenda 31 majit Reformën Zgjedhore.
Burime për Exit News kanë raportuar se diskutimi për ndryshimin e sistemit zgjedhore do të jetë formale, pasi shumica dhe opozita kanë rënë dakord që sistemi të mos ndryshojë.
Shumica socialiste ka kusht të panegociueshëm departizimin e administratës zgjedhore. Sipas propozimit të PS-së, anëtarët e komisioneve zgjedhore do të jene persona jashtë partive politike, të cilët duhet të përmbushin një sërë kriteresh dhe të aplikojnë dhe do të trajnohen për këto pozicione.
Partive politike do t’i lejohen të kenë vëzhgues politikë, por jo komisionerë që administrojnë procesin e zgjedhjeve.
Ndërsa Partia Demokratike ka deklaruar se ka kusht të panegociueshëm përdorimin e teknoligjisë që në zgjedhjet e ardhshme. PD kërkon identifikimin biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave.
Burime për Exit News treguan se përderisa të dy palët kanë nga një kusht të panegoiueshëm, me shumë gjasa, do të arrihet dakordësia për departizimin e administratës dhe të paktën identifikimin biometrik të zgjedhësve, për të plotësuar kërkesat e të dyja palëve dhe për t’i dhënë fund bisedimeve brenda 31 majit.
Mbledhja e radhës e Këshillit Politik është të shtunën në orën 17:00.