Departizimi i administratës së zgjedhjeve, përfshi komisonet e qendrave të votimit dhe të zonave zgjedhore, dhe zbatimi i identifikimit biometrik të votuesve janë problemet kryesore për të cilët nuk është arritur dakordësi mes qeverisë dhe opozitës.
Të dyja palët kanë rënë dakord për secilën nga këto pika veç e veç, por opozita e këmbëngul se në praktikë ato duhet të zbatohen ose të dyja njëkohësisht ose asnjëra.
Problemi qendron se identifikimi biometrik i votuesve ndërsa pranohet teorikisht, ka shumë vështirësi që të zbatohet në praktikë në periudhën e mbetur rreth 11 mujore deri në zgjedhje për shkak të vështorësive teknike.
Në fakt, ka mundësi që praktikisht identifikimi biometrik të mos arrijë të zbatohet dot në këto zgjedhje.
Nëse kjo gjë ndodh, opozita kërkon që të mos zbatohet as departizimi i administratës, pasi ajo mendon se vetëm identifikimi biometrik mund të sigurojë që komisionet jopartiake, ku nuk ka asnjë vëzhgim nga forcat politike, të mos kenë mundësi të manipulojnë edhe nëse ato bien nën ndikimin e njërës apo tjetrës forcë politike.
Ndërsa qeveria kërkon që departizimi i administratës të zbatohet edhe nëse nuk arrihet dot identifikimi biometrik.
Megjithë deklaratat, në dukje, optimiste të ambasadorëve, palët nuk po arrijnë një kompromis në këtë pikë.
Aktualisht administrimi i zgjedhjeve bëhet nga partitë politike— komisionet zgjedhore, duke nisur me komisionerët e qendrave të votimit, përbëhen nga përfaqësues të partive politike kryesore. Ata mbikëqyrin rregullsinë e procesit të votimit dhe kanë në dorë të lejojnë ose jo të manipulohet me votat në kutinë e votimit që në qendrën e votimit.
Prej shumë vitesh, OSBE/ODIHR kanë rekomanduar depolitizimin e këtyre komisioneve, për shkak se komisionerët partiakë janë identifikuar si pengesë për ndërprerjen pa shkak të procesit të votimit dhe të numërimit, duke sjellë shtyrjen e nxjerrjes së rezultatit.
Partia Socialiste e konsideron depolitizimin e komisioneve një nga çështjet themelore të reformës dhe kryeministri Rama e trajtoi ditë më parë si një nga dy çështjet e vijës së kuqe të panegociueshme për PS.
“Dy pika janë të pa negociueshme, e para depolitizimi i administratës zgjedhore, gjë për të cilën ODHIR ka rekomanduar depolitizimin. […]”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Partia Demokratike nuk e ka kundërshtuar atë që quhet depolitizim i komisioneve, por kërkon që ky proces, i cili i heq opozotës garancinë e kontrollit mbi procesin e votimit dhe të numërimit, të ndodhë i shoqëruar me një garanci shtesë, atë të teknologjisë.
Opozita beson se identifikimi biometrik i zgjedhësve në qendrën e votimit do të eliminojë votimin e dyfishtë apo votimin në emër të emigrantëve që nuk ndodhen në Shqipëri, siç ka ndodhur në të kaluarën. Për këtë arsye, opozita ka kërkuar në negociata që depolitizimi i administratës zgjedhore të bëhet paralel dhe të jetë i lidhur me identifikimin biometrik.
Plus kësaj, në komisionet e depolitizura, partitë të kenë perfaqësues të barabartë, pa të drejtë vote. Partia Socialiste nuk e ka pranuar këtë propozim, pasi beson se identifikimi biometrik është i pamundur për t’u realizuar në të gjithë Shqipërinë.
Për të mos dështuar zgjedhjet, opozita ka propozuar që nëse qeveria nuk është në gjendje të sigurojë votimin biometrik, atëherë zgjedhjet të bëheshin me sistemin aktual të komisioneve të administruara nga partitë.
PS nuk e ka pranuar as këtë variant. Deri tani, ajo është e vendosur që të ecë me variantin e saj të parë dhe të vetëm, komisionerë jopartiakë, edhe nëse nuk siguron dot identifikim biometrik.
Edhe opozita është treguar e vendosur ta kundërshtojë deri në fund këtë zgjidhje, pasi heqja e komisionerëve nga procesi dhe mungesa e identifikimit të saktë biometrik të zgjedhësve e lë atë pa asnjë garanci dhe kontroll të procesit zgjedhor.