Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve (CRCA), pas përdhunimit të 15-vjeçares në Babrru, ka ripërsëritur kërkesën e saj për miratimin e Regjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale ndaj Fëmijëve.
Që prej vitit 2015, CRCA ka kërkuar nga kuvendi miratimin e një regjistri kombëtar ku të jenë të gjithë të dhënat e personave të dënuar nga gjykatat për krime seksuale ndaj fëmijëve.
Megjithë neglizhencën e kuvendit, CRCA ka gati një projektligj për këtë regjistër.
Projektligji parashikon që Regjistri i Krimeve seksuale ndaj Fëmijëve të mirëmbahet nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, të cilat duhet të përditësojnë të dhëna të vazhdueshme të deklaruara nga të dënuarit për krime seksuale, si vendbanimin, udhëtimet etj.
Regjistri mund të jetë i aksesueshëm vetëm nga institucionet publike dhe private që punojnë me dhe për fëmijët dhe që sipas ligjit kanë për detyrë të mbrojnë fëmijët. Në këtë aspekt, cdo institucion si shkollat mund të vihen në dijeni dhe të kërkojnë të dhëna për të dënuarit.
Rasti i bërë publik ditët e fundit ku një 65-vjeçar, roje shkolle, dhe 3 djem të rinj kanë abuzuar seksualisht me një nxënëse shkolle 15 vjeç dhe më pas i kanë bërë asaj shantazh ka shkaktuar debat të fortë në opinionin publik. Një ditë më parë, për të ndërgjegjësuar më shumë qyteterët dhe për t’i bërë thirrje institucioneve për drejtësi, qindra qytetarë protestuan.