Përfaqësuesit e opozitës parlamentare do të takohen sot në orën 9:00 me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçin. Takimi u kërkua nga opozita dy ditë më parë.
Tema kryesore e bisedës do të jetë Reforma Zgjedhore.
Drejtuesit e grupeve parlamentare opozitare në Kuvend, Myslim Murrizi, Nimet Musaj dhe Edmond Stojku, i kanë vënë qeverisë 2 kushte si e vetmja mënyrë që ata të votojnë për Reformën Zgjedhore.
Përmes një letre publike, drejtuar Ramës e Ruçit, ata kanë sqaruar se kushtet janë:
- Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri dhe jo një arnim skandaloz i Kodit të Vjetër ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE-së.
- Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të krijojë kushte dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura.
Ata kërkonin që brenda 48 orësh të ngrihet një tryezë tjetër bisedimesh për reformën e vërtetë zgjedhore ku të marrë pjesë dhe vetë Edi Rama, si ‘prova e seriozitetit të tryezës’.
Në rast se kushtet e tyre nuk pranohen, ata shkruajnë se deputetët e opozitës parlamentare nuk mundet dhe nuk do ta votojnë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik.