Opozita parlamentare këmbëngul që bisedimet për Reformën Zgjedhore të bëhen brenda kuvendit, në komisionin e reformës, dhe jo në Këshillin Politik.
Pas takimit me kreun e kuvendit, ku opozita bëri të qartë se nuk do të votojë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore pa u plotësuar 3 kushtet e tyre, Myslim Murrizi deklaroi se për opozita ka kërkuar dhe takim me kryeministrin Rama.
Murrizi, kryetari i grupit ‘Demokrat’ deklaroi:
“Në takim me Rucin gjetën dakordësinë e plotë që asnjë institucion tjetër jashtë institucioneve kushtetuese që është parlamenti nuk mund të zëvendësojë institucionin legjitim dhe sovran të shqiptarëve, parlamentin shqiptar.
Diskutimet për reformën do të bëhen vetëm në komisionin e reformës zgjedhore.
Ne kemi kërkuar takim me Ramën.”
Murrizi tha se tre kryetarët e tre gripeve parlamentare do të bojkotojnë komisionet parlamentare ‘për të mbajtur një qëndrim që askush brenda apo jashtë institucioneve legjitime nuk mund të tallet me sovranitetin e votës tonë dhe mandatin e deputetit që ne kemi marrë.’
Murrizi është anëtar i grupit Demokrat, i cili ka 11 anëtarë, mes të cilëve dhe Rudina Hajdarin, pjesë e Këshillit Politik.
Grupi tjetër ‘I pavarur’ ka 9 anëtarë dhe kryesohet nga Nimet Musaj, ndërsa grupi ‘Demokraci dhe drejtësi’ ka 11 deputetë kryesohet nga deputeti Edmond Stojku.
Nuk dihet ende nëse tre kryetarët përfaqësojnë mendimin e të gjithë deputetëve në grupet e tyre.