Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së në Këshillin Politik, ka kërkuar mbledhjen e këshillit të premten, 12 qershor.
Në një e-mail dërguar anëtarëve të tjerë të këshillit, Hajdarit, Bylykbashit dhe Vasilit, Gjiknuri shkruan se duhet të nisë sa më shpejt puna për të miratuar të gjitha amendimet e arritura në marrëveshjen e 5 qershorit dhe të adresohen të gjitha pikat që është arritur konsensus pasi çdo vonesë e tyre do të krijojë probleme me ngritjen e organeve të reja të KQZ dhe do të rrezikojë zbatimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin.
Nëse Reforma Zgjedhore do të miratohet brenda këtij sesioni parlamantar, pra deri në fund të korrikut, Gjiknuri thotë se puna duhet të nisë sa më parë:
“Kjo bëhet edhe më e mprehtë nga nevoja për të kaluar të gjitha procedurat parlamentare deri në miratimin e saj në seancë plenare, duke pasuar edhe me zgjedhjen e organeve përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar që mbaron në fund të korrikut 2020.”
Puna e Këshillit Politik është vënë në diskutim nga opozita parlamentare, e cila ka deklaruar se nuk pranon asnjë marrëveshje të bërë në të që nuk merr parasysh kërkesat e tyre: lista të hapura për deputetët, votimin e emigrantëve dhe administrimin apolitik të zgjedhjeve.