
Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’i heqë mandatin kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi ai ka qënë i dënuar me vendim të formës së prerë për armëmbajtje pa leje. Këtë kërkesë, PD ia ka dërguar për dijeni edhe ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së në Tiranë.
Për shkarkimin e kryebashkiakut Malaj duhet të shprehet departamenti i dekriminalizimit në Prokurori me kërkesë të KQZ-së.
Prokuroria mbylli më 9 qershor hetimet ndaj kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, ish-gardisti i 21 janarit. Prokuroria konfirmoi se Malaj është dënuar me 10 muaj burg për ‘armëmbajtje pa leje’ në vitin 1999 nga gjykata e Matit. Po ashtu ai është hetuar për vrasjet e 21 janarit 2011, por në prill 2011, prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve.
Sipas hetimeve, të gjitha këto detaje janë bërë publike dhe nga vetë Malaj në formularin e vetëdeklarimit, por KQZ nuk e ka ndaluar atë nga kandidimi.