Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi qeverinë Rama se ndan qindra mijëra euro për miqtë e tij, ndërsa lë në harresë dhe varfëri qytetarët dhe bizneset e vogla.
Gjatë takimeve me sipërmarrës në Vorë, Basha tha se Rama, Veliaj, Ahmetaj i kanë dhënë gjysmë milioni euro Klodian Mërtirit të inceneratorit të Sharrës, i përfshirë në skandale korruptive në shtete të tjera, ndërsa sipërmarrësve të thjeshtë të Vorës i ka dhënë thërrime që nuk mjaftojnë as për mbijetëesë.
Basha tha se pandemia e Covid-19 nxorri zbuluar qeverinë e korruptuar të Ramës, e cila zgjedh të paguajë miliarda për oligarkët dhe braktis qytetarët:
“Nuk mund të bëj me faj asnjë qeveri, as këtë qeveri për pandeminë. Por pandemia nxorri rrënjët e së keqes zbuluar para çdo shqiptari. Kjo që ka ndodhur këto 3 muaj, grabitja e taksave të shqiptarëve, mungesa totale e ndihmës dhe braktisja e tyre, është fytyra e vërtetë e ketij shteti dhe dështimeve të këtij shteti, të këtij kryeministri për 7 vite me radhë.
Kjo krizë e thellë ekonomike që po avancon ditë për ditë dhe po gërryen xhepat e shqiptarëve, po boshatis tavolinat e tyre dhe po shkatërron bizneset e vogla, po shkatërron mijëra vende pune te sipërmarrja prodhuese dhe sipërmarrja e madhe.”