Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë Demokratike Grida Duma ka dhënë dje një intervistë për Opinion.al. Në intervistë, Zonja Duma flet për situatën e brendshme në PD, drejtuesit e saj, brezat e ndryshëm brenda partisë dhe mënyrën e të bërit opozitë.
Zonja Duma është shprehur se PD duhet të merrte veten pas humbjes në vitin 2013 dhe këtë gjë po e bën gradualisht. Ajo mendon se, si Zoti Berisha edhe Zoti Basha janë udhëheqës shumë të mirë; qëndrimet e të dyve janë shumë të qarta por ato të Zotit Berisha janë pak më të qarta. Zonja Duma është shprehur se të vjetrit në PD janë një gjë e mirë dhe bëjnë mirë që flasin; por edhe të rinjtë në PD janë gjë e mirë dhe ata duhet të fitojnë përvojën e të vjetërve.
Zonja Duma është shprehur se PD duhet të jetë një institucion që duhet të mbrojë dhe të zgjidhë hallet e njerëzve dhe është duke e bërë këtë gjë.
Intervista e Zonjës Duma është e mbushur me fjalë të përgjithshme, qëndrime të paqarta dhe shprehje sterile që nuk mbartin pothuajse asgjë. Është një intervistë që në mënyrë simbolike ilustron gjendjen e sotme në PD: krizën e ideve dhe të vizionit, krizën e figurave bindëse dhe frymëzuese, mungesën e një alternative të besueshme ndaj qeverisjes aktuale.
Domethënës është vetë fakti që Grida Duma vazhdon të mbetet alternativa që PD i ofron publikut për të ardhmen edhe pasi ajo u refuzua gjerësisht nga qytetarët në zgjedhjet e fundit lokale. Në PD duket sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur zgjedhjet lokale nuk kanë ndodhur kurrë.