
Presidenti Ilir Meta deklaroi të hënën se rritja shqetësuese e numrit të të infektuarve me Covid-19 në javët e fundit ka nevojë për një strategji konkrete afatgjatë, për vënien nën kontroll të përhapjes së virusit.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehu shqetësimin se shifrat e të infektuarve ditorë dhe viktimave me Covid-19 po rriten çdo ditë, ndaj duhen marrë masa urgjente duke rritur bashkëpunimin me OBSH-në:
“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent.
Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Gjithashtu, është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurtë dhe të shpejtë nga pandemia.”
Meta i bëri apel qytetarëve që të respektojnë të gjitha protokollet dhe masat kufizuese anti-Covid, si e vetmja mënyrë për të mos vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjarëve.