
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë blerë 90 për qind të rezervave botërore të ilaçit remdesivir, deri tani i vetmi ilaç që lufton Covid-19.
Sipas Business Insider, kompania prodhuese Gilead Sciences ra dakord që t’i shesë Amerikës më shumë se 500 mijë paketa trajtimi të ilaçit deri në shtator 2020, që është pothuajse sa e gjithë sasia e ilaçit që kompania mund të prodhojë në 3 muajt e ardhshëm.
Kjo kontratë lë shumë pak ilaçe për vendet e tjera që po përballen me pandeminë e Covid-19.
Që prej 1 majit, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka lëshuar aprovimin për përdorimin e remdesivirit si trajtim tek pacientët me simptoma të rënda të shkaktuar nga Covid-19.
Ky ilaç është një antiviral i prodhuar fillimisht për të luftuar Ebolën, por pas testimeve të shumta, ilaçi nuk rezultoi efektiv kundër saj.
Mjekët nisën ta përdornin ilaçin tek pacientët me simptoma të rënda të Covid-19 dhe shumë shpejtë vunë re përmirësim.
Pacientët, që morën pjesë në provën klinike të ilaçit, kishin të gjithë simptoma të rënda të frymëmarrjes dhe ethe, por u përmirësuan dhe ishin në gjendje të largoheshin nga spitali pas më pak se një javë trajtimi.
Deri më tani, rreth 4 muaj nga përhapja e Covid-19, nuk ka asnjë terapi të miratuar për virusin, i cila mund të shkaktojë pneumoni të rëndë dhe probleme të rënda të frymëmarrjes në disa pacientë. Por Instituti Kombëtar i Shëndetit po zhvillon prova të disa ilaçeve dhe trajtimeve të tjera, mes tyre dhe remdesiviri.