Mali i Zi miratoi një ligj për njohjen e partneriteteve mes të njëjtit seks. Për miratimin e ligjit duheshin minimalisht 41 vota, ndërkohë ligji mori 42 nga 81.
Aktualisht 29 shtete në botë njohin martesën mes të njëjtin seks. Partneritetet civile midis individëve të seksit të njëjtë njihen në 32 vende, ku përfshihet Mbretëria e Bashkuar, SH.B.A., Gjermania, Malta, Brazili, Argjentina dhe Franca. Mali i Zi është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që legalizon partneritetet mes të njëjtit seks.
Forumi LGBTI malazez vlerësoi miratimin e ligjit, duke e quajtur atë një luftë historike për të drejtat e njeriut të komunitetit në vend.
“Me miratimin e ligjit, i cili nuk kishte shumicën e duhur të votave vitin e kaluar, u shkrua një faqe e re në historinë e lëvizjes LGBTI në Malin e Zi dhe u përcoll një mesazh i qartë,” tha Forumi i LGBT.
“Ky është një hap i pakonceptueshëm përpara për shoqërinë malazeze dhe një gëzim i veçantë për tërë komunitetin LGBTI. Si një organizatë që për vite me radhë ka mbrojtur njohjen ligjore të komuniteteve të të njëjtit seks dhe si pjesëmarrës aktiv në Grupin e Punës që krijoi ligjin, ne jemi shumë të lumtur për këtë përfundim. “
John M. Barac nga Qendra Sociale LGBTIQ tha se sfida tani është zbatimi i duhur i ligjit.
“Parlamenti ka përkrahur barazinë dhe dashurinë dhe ka dërguar një mesazh të qartë se Mali i Zi po ecën përpara. Shpresoj që institucionet do të justifikojnë besimin dhe do të vazhdojnë të zbatojnë këtë ligj. Sot kemi arsye të festojmë dhe të gëzohemi, dhe prej nesër do të vazhdojmë të luftojmë për barazi dhe dinjitet, “përfundoi ai.
Kryeministri Dusko Markoviq shkroi në Tëitter se ligji është “një hap i shkëlqyeshëm në drejtimin e duhur, për shoqërinë, demokracinë dhe procesin e integrimit”. Ai shtoi se Mali i Zi është një hap më afër me demokracitë më të zhvilluara në botë.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk e njohin martesën mes të njëjtit seks ose partneritetet civile.