Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar qeverisë që të fokusohet tek plotësimi i 15 kushteve të vëna nga Bashkimi Europian, pasi ato janë përgjegjësia kryesore e saj.
Në një dalje për mediat nga selia e LSI, ish-deputeti Edmond Haxhinasto tha se kushtet nuk mund të vazhdohen të mohohen nga qeveria:
“Faktin që këto janë kushte, nuk e ndryshon dot as mohimi i tij nga mazhoranca, as besimi se me lobimin e fortë mund ta ndryshojmë qëndrimin e BE, në mënyrë të veçantë të disa shteteve kryesore, si Gjermani, Francë, Holandë, etj. E vetmja mënyrë për t’i hequr ato nga axhenda mes nesh dhe BE është trajtimi i tyre me seriozitet dhe plotësimi sa më parë i tyre.
Në fakt këto janë 15 kushte për të cilat mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore: Përfundimi i reformës zgjedhore, dhe asaj në drejtësi; plotësimi i detyrimeve për funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë; ndëshkimi i tjetërsimit të votës; legjislacioni për median dhe pakicat, administrata publike dhe e drejta e pronës; si dhe ndalimi i azil-kërkuesve, janë përgjegjësi të lidhura drejtpërdrejtë me mazhorancën.”
Ish-deputeti tha se opozita është e gatshme të ndihmojë në plotësimin e kushteve, pasi integrimi evropian është për qytetarët shqiptarë një mundësi për një jetë dhe një të ardhme më të mirë.