Disa media publikuan dëshmitë e vajzës , B.J e mbijetuar nga familja, në të cilën nëna dhe motra e saj u vetëflijuan me shpresën se do të ringjalleshin. Ajo ka dhënë detaje personale mbi mënyrën e vetflijimit të tyre.
Bërja publike e tyre, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, Kushtetutës dhe ligjit.
Publikimi i dëshmisë së vajzës cenon privatësinë dhe dinjitetin e saj. E drejta për privatësi dhe dinjitet është e garantuar nga Konventa për të Drejtat e Njeriut, Kushtetuta, Kodi Penal dhe ai Civil.
Gjykata e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen Axel kundër Gjermanisë, u shpreh se publikimi i informacioneve personale dhe jo në interes të publikut përbën shkelje të jetës private.
“Publiku nuk ka një interes legjitim për të ditur se ku ndodhet kërkuesja dhe se si ajo sillet në përgjithësi në jetën e saj private dhe përmbajta e informacionit shumë personal apo edhe intim përbën shkelje të së drejtës së jetës private”.
Nga ana tjetër, Kodi i Procedurës Penale ndalon publikimin e çdo lloj akti gjatë një hetimi deri në përfundimin e tij. Neni 103 parashikon:
“Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake.”
Ditën e shtunë, Prokuroria filloi hetimet ndaj të gjitha sekteve fetare. Dëshmia e B.J është akt procedurial gjatë një hetimi. Personat përgjegjës për hetimin si oficerët e policisë gjyqësore, hetuesit prokurorët etj, kanë detyrimin të mos e publikojnë atë deri në përfundim të hetimit. Por pavarësisht këtij parashikimi ligjor, dëshmia e B.J, ndodhet në shumicën e mediave.
Kodi parashikon gjithashtu se shkelja e këtij detyrimi është shkak për vërejtje, pezullim e deri largim nga puna. Prokurori i çështjes duhet të zbulojë personin që i ka bërë publike këto detaje, dhe më pas të kërkojë nga organet kompetente të marrim masa ndaj tij.
Prokuroria apo të afërmit e vajzës mund të kërkojnë mediave heqjen e artikujve e dëshmive të saj, për ti garantuar të drejtën për një jetë private si dhe për të lejuar një proces të drejtë hetimi.