Mijëra banorë të zonës së Kurbinit kanë më shumë se një javë pa ujë të pijshëm.
Ky absurd ndodh për shkak të mungesës së investimeve në ujësjellës prej vitesh, ndërsa në ditët e fundit është shtuar dhe bllokimi i një pusi që furnizon qytetin, duke detyruar banorët të dalin me bidonë për të mbushur ujë në burimin e vetëm të zonës, raporton Porta Vendore.
Radhë banorët për të mbushur ujë
Prej më shumë se një jave, si banorët e qytetit të Laçit, ashtu dhe ata të fshatrave përreth nuk kanë asnjë pikë ujë në shtëpitë e tyre. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, por sipas banorëve, autoritetet përgjegjëse nuk e kanë prishur qetësinë për të zgjidhur problemin e tyre.
“Asnjëherë nuk kemi ujë, asnjëherë. Nuk e di pse ndodh, por është shumë problem. Është katastrofë. Ne jemi të sëmurë dhe detyrohemi të mbushim ujë me bidonë ku të mundemi dhe të qëndrojmë në radhë. Burri plak 70 vjeç, tërë jetën duke mbushur ujë. Në çezmat tona nuk vjen asnjë pikë ujë. Hajdeni kur të doni në shtëpinë time dhe nuk do të gjeni një pikë ujë në çezmë”, thotë një zonjë, e cila bashkë me të shoqin, po mbushin disa bidonë me ujë në një çezmë uji pranë pusit kryesor që furnizon qytetin e Laçit.
Por, ajo nuk është e vetmja që vjen pranë këtij pusi uji, pasi ndonjëherë radha shkon aq e gjatë saqë duhet të presësh me orë të tëra për të mbushur ujë.
“Unë vij nga Sanxhaku, bëj rreth 3 km me karrocë dore për të mbushur ujë këtu, sepse nuk na vjen ujë fare. Ne lagjeve jashtë qytetit na vjen një herë në tre ditë, një herë në pesë ditë. Edhe ai ujë vjen i ndotur se tubacionet janë të gjitha të shkatërruara. Nuk pihet ai ujë. Amortizimi i tubacioneve vazhdon që në kohën e Partisë së Punës. Në çdo stinë verë kemi të njëjtin problem. Pra këtë ujë mund ta përdorim vetëm për të larë, pasi nuk pihet, por në verë as për të larë nuk po vjen më. Ka raste që rrinë grumbull njerëzit këtu dhe nuk mund të mbushesh ujë dhe për 2-3 orë”, shprehet një 67-vjeçar, i cili bën apel “të paktën të kemi ujë, se koha është e nxehtë dhe njerëzit po vdesin për ujë”.
Po ashtu, pranë kësaj çezme vijnë edhe banorë të Mamurrasit, të cilët tregojnë se situata është shqetësuese deri në Krujë.
“Unë jam prej Mamurrasit dhe mbush ujë këtu, pasi uji që nga vjen në çezmë është vetëm për vaditje. Tashi nuk ka pikën e ujit, as për t’u larë jo dhe kjo situatë është nga këtu deri në Thumanë”, shprehet Pali për Portën Vendore, i cili ka ardhur për të mbushur ujë.
Ujësjellësi, me zgjidhje të përkohshme: Situata nga mungesa e investimeve në vite
Por, kjo situatë, ashtu siç shprehen dhe banorët vazhdon prej disa vitesh në Kurbin dhe askush nuk ka investuar për zgjidhjen e saj, ndonëse kjo zonë ka burime ujore të shumta. Porta Vendore kontaktoi dhe me ujësjellësin e Bashkisë Kurbin, ku përgjegjësi Vladimir Tota deklaroi se po marrin të gjitha masat për zgjidhjen e përkohshme të problemit, ndërkohë që ka nisur një investim strategjik për ujësjellësin e Kurbinit. Sipas tij, situata është rënduar nga viti në vit për shkak të mungesës së investimeve.
“Ne po punojmë me gjithë stafin tonë për zhbllokimin e një pusi që kemi për momentin, sepse vetëm me një pus punojmë aktualisht. Pusi jonë që ka qenë pus me vetërrjedhje nga puset artizanale, i cili nuk ka pasur investime ndër vite. Kemi blerë një pompë zhytëse, të cilën po e vendosim në pus që të bëjmë të mundur rikthimin e ujit për banorët e Kurbinit. Sa i përket çështjes së investimeve në ujësjellës, ne kemi marrë dhe një investim të ri, falë qeverisë, që na ka dhënë fondin. Është një projekt për tre puse të reja, gjithashtu dhe për stacion pompe të ri dhe për magjistralin kryesor si dhe për depot sipër. Ne kemi disa ditë që po punojmë dhe natën dhe mendojmë se brenda fundjavës do të ketë ujë për banorët. Kuptohet se uji nuk do jetë mjaftueshëm, por për të përballuar situatën”, deklaroi Vladimir Tota, përgjegjësi i Ujësjellës Kanalizimeve në Kurbin.
Projekti 500 milionë lekë për ujësjellësin e ri
Zona e Kurbinit ka burime ujore të bollshme, por duket se keq-menaxhimi ka bërë që banorët të vuajnë për këtë situatë. Në mes të muajit prill, në Bashkinë Kurbin ka nisur puna për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, një investim i qeverisë, rreth 500 milionë lekë të reja, i cili do të sigurojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm për afro 30 mijë banorë të qytetit të Laçit.
Mungesa e investimeve prej shumë vitesh në këtë sektor në Laç, ka sjellë amortizimin e rrjetit, duke rritur nivelin e humbjeve në rrjet dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në kufizimin e orarit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët.
Ky investim do të garantojë furnizim 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi në zonën urbane të Laçit, do të bëjë të mundur eliminimin e humbjeve dhe ndotjeve të ujit në rrjet, pajisjen e të gjithë abonentëve me matës si dhe do të reduktojë ndjeshëm kostot e energjisë elektrik duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të UK Kurbin.
Për shkak për shkak të kompleksiteti dhe vështirësisë në implementim, projekti është i ndarë në dy faza. Faza e parë filloi në muajin prill, ndërsa sipas burimeve zyrtare të Bashkisë Kurbin, faza e dytë do të fillojë brenda vitit 2020.
Në tërësinë e tij projekti konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të jashtëm, pothuajse 7 kilometra të ujësjellësit të Laçit, ndërtimin e dy depove të reja, rehabilitimin e depos ekzistuese, rehabilitimin e dy puseve ekzistuese, ndërtimin e një pusi të ri si dhe ndërtimin e pothuajse 70 kilometrave rrjet të brendshëm.
Të gjithë qytetarët e Laçit do të pajisen me matës individualë dhe rrjeti i ujësjellësit do të ketë një sistem automatik të klorifikimit.
Ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2021, por për aq kohë sa faza e dytë e projektit nuk ka nisur ende, banorët janë duke shpresuar që e gjitha kjo situatë shqetësuese prej kohësh të mund të marr zgjidhje.
Publikuar në Porta Vendore