Martin Camaj është përfolur në një shkrim sensacional të para pak javëve si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit apo i UBD-së jugosllave, duke keqintepretuar një dokument të vetëm dhe duke imagjinuar, me kapërcime logjike, veprime që Camaj nuk i ka kryer.
Camaj është në të vërtetë viktimë e Sigurimit të Shtetit, që e dhunoi për ta rekrutuar dhe pastaj ndërmori një fushatë sistematike për të nxirë figurnë e tij në perëndim.
Nuk ka ndërkohë asnjë dokument të deklasifikuar të CIA-s apo të shërbimeve perendimore që të sjellë ndonjë fakt apo provë se Camaj se ka qenë në shërbimin të UDB-së.
Por le t’i marrim faktet me radhë.
Dosja e Martin Camajt nuk lë vend për dyshim as për oficerin më fanatik të ish Sigurimit të Shtetit.
Më 1948, rreth të 20-tave, Camaj mësues i ri në Dukagjin, rrëmbehet me forcë nga Sigurimi i Shtetit. Nën kërcënim, ai detyrohet të nënshkruajë një dokument ku i kërkohet të bashkëpunojë me Sigurimin për të spiunuar dy kundërshtarë të regjimit komunist, Gjon Destanishta dhe Lazër Pali.
Menjëherë pasi e lënë të lirë, Camaj lajmëron Destanishtën dhe Palin për qëllimet e Sigurimit dhe vendos që të arratiset.
Camaj nuk bashkëpunoi asnjë herë të vetme me Sigurimin edhe pse në arkivat e Sigurimit ka mbetur dokumenti i firmosur, që i shkëptur nga realiteti dhe pa asnjë fakt tjetër po përdoret sot për të sulmuar Camajn.
Kur Camaj u arrratis në Jugosllavi, Jugosllavia kishte miratuar hapjen e shkollave shqipe në trevat shqiptare. Camaj punoi për më shumë se një vit si mësues në fshatrat shqiptare të Malit të Zi.
Në të njejtën kohë, Jugosllavia lejoi punësimin e një pjese të emigrantëve shqiptarë dhe atyre që merreshin me bujqësi u dhja edhe toka në përdorim. Camaj përfitopim nga kjo politikë liberale dhe filloi më 1950 studimet për Albanologji në Universitetin e Beogradit.
Ndërkohë në Jugosllavi emigrantët shqiptarë krijuan një shoqatë të tyren, Komitetin e Prizrenit, e cila ishte nën ndikimin e qeverisë jugosllave.
Camaj akuzohet se ka qenë drejtues i këtij Komiteti dhe gjithashtu se ka qenë punonjës i Radio Beogradit—duke hamendësuar se për rrjedhojë ai ka qenë bashkëpunëtor i UDB-së.
Të dyja këto pretendime janë të rreme: Camaja nuk ka qenë as drejtues dhe as pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Komitetit të Prizrenit dhe nuk ka punaur kurrë në Radio Beogradin.
Të dy alkuzat ndaj Camajt bazohen në një dokument të vetëm operativ të CIA-s i cili nuk u mor për bazë as nga vetë CIA. Për më tepër akuzat shtrembërojnë edhe vetë përmbajtjen e këtij dokumenti të dyshimtë.
Ky dokument i deklasifikuar bën pjesë në informacionet operative të CIA-s—informacione të dhëna nga informatorë apo bashkëpunëtorë të fshehtë. Këto informacione janë të paverifikuara dhe të pavertetuara nga CIA—për këtë arsye CIA ka paralajmëruar studiuesit se materialet opertative të deklasifikuara nuk duhet të merren si të mirëqena.
Në fakt dokumenti i CIA-s në lidhje me Camajn mbart në faqen e parë një vulë me mbishkrimin “ky informacion nuk është vlerësuar” (“this is unevaluated information”—që do të thotë se ky raportim i një informatori nuk mund të merret si i vërtetë.
Sikur të mos mjaftonte kaq, akuzatorët kanë keqpërkthyer apo shtrembëruar me dashje edhe vetë përmbajtjen e këtij dokumenti të dyshimtë. Në faqen e tretë të raportimit, informatori i fshehtë jep detaje për Komitetin e Prizrenit dhe drejtimin e tij. Në një paragraf pohoet se Lutfi Spahiu, një nga drejtuesit e komitetit, është larguar nga pozita ekzekutive në këtë komitet. Më pas, në një paragraf tjetër, pa lidhje me drejtuesit, thuhet se anëtarë të këtij komuniteti janë Ramadan Spahiu dhe Martin Camaj.
Akuzatori ka intepretuar ose ka keqpërkthyer se Camaj ishte anëtar i drejtimit ekzekutiv të Komitetit Prizrenit. Në fakt në të gjithë përshkrimin e detajuar të kupolës ekzekutive të Komitetit nga informatori, emri i Camajt nuk përmendet fare—të qënit anëtar dhe drejtues ekzekutiv i një shoqate nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.
Edhe pretendimi tjetër në dokument se Camaj është punonjës i Radio Beogradit është krejtësisht i pavërtetë—është një fakt tashmë i vërtetuar se Camaj nuk ka punaur asnjëherë për këtë radio.
Në fakt asnjë nga këto dy pretendime, edhe nëse do të ishte i vërtetë, nuk përbën provë se Camaj ka qenë në shërbim të UDB-së—në fakt, në Komitetin e Prizrenit u bën pjesë shumë shqiptarë antikomunistë dhe patriotë të vërtetë.
Sajimi i dy pretendimeve të rreme për Camajn duket se është bërë pikërisht për të sajuar akuzën kryesore të shërbimit ndaj UDB-së e cila është përodrur pastaj nga aluzatori për të diskredituar figurën e Camajt duke u përpjekur për të ndezur qendrime emocionale tek lexuesit.
Por le të kthehemi tek Komiteti i Prizrenit.
Në maj të 1951, jugosllavët krijuan me pompozitet organizatën Bashkimi i Emigrantëve Politikë Shqiptarë, njohur si Komiteti i Prizrenit, në të cilën merrnin pjesë disa prej figurave të njohura antikomuniste, kryesisht nga Veriu i Shqipërisë.
Referuar informacioneve operative të CIA-s, organizata kishte për synim organizimin e të gjithë shqiptarëve të arratisur në Jugosllavi me qëllim rrëzimin e pushtetit të Hoxhës, kundrejt premtimit se Jugosllavia do të respektonte sovranitetin e Shqipërisë. Sipas të njëjtave dokumente, rekrutimi fillestar i të gjithë anëtarëve të kësaj organizate, ishte me forcë.
Të gjithë shqiptarët e arratisur, që arrinin të paktën në disa mijëra, strehoheshin nga jugosllavët në kampe të posaçme, ku u jepje ushqim dhe veshje. Nëse dikush refuzonte anëtarësimin në këtë organizatë kërcënohej se do lihej mes katër rrugëve, ose me keq, do riatdhesohej.
Krijimi i saj u bë me dakortësinë e amerikanëve të cilët e nxitën në fillim, por më pas u kërkuan autoriteteve Jugosllave të mosvepronin pasi rolin themelor të mërgatës në përpjekjen për rrëzimin e komunizmit duhet të luante Komiteti Shqipëria e Lirë në perëndim.
Komiteti i Prizrenit nuk ishte organizatë sekrete, por organmziatë e hapur publike. Krijimi i saj ishte kaq pompoz sa atë e vizituan disa gazetarë të huaj, mes tyre edhe gazetarë amerikanë.
Në numrin e datës 16 nëntor 1951, revista prestigjoze amerikan Life publikon një reportazh prej disa faqesh të gazetarit Francis Noel-Baker.
Gazetari kishte udhëtuar mbi 4 mijë milje përgjatë gjithë kufirit shqiptaro-jugosllav dhe intervistoi dhjetëra shqiptarë, madje kishte gjetur kohën të fotografonte një familje shqiptare që po kalonte kufirin bashkë me gjithë pasurinë e tyre, 100 bagëti.
I prekur nga realiteti i rëndë, Noel-Bark do e titullonte reportazhin e tij “Toka e djallit”, sipas një citimi të një shqiptari të arratisur, Sulo Duro.
Reportazhi meriton të përkthehet i gjithi për shkak të detajeve të panjohura të herët të arratisjes së vështirë të shqiptarëve. Gazetari amerikan udhëton lirshëm në Kosovë dhe viziton nga afër zyrtarët e Komitetit të Prizrenit dhe përfundon në një nga tavernat e qytetit duke intervistuar një nga liderët e tij, Lutfi Spahiu.
Rreth të 40-tave, Spahiu kishte shërbyer si Prefekt në Prizren nën pushim gjerman dhe ishte arritisur nga Kukësi, ku banonte, në vitin 1948 nga frika e arrestimit. “Organizata jonë është themeluar me qëillim për të çliruar Shqipërinë”, thoshte Spahiu i cili kundërshtonte hapur Titon dhe Stalinin dhe mburrej me antikomunizmin e tij.
Arritja e një normalizimi në marrëdhënie mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në mesin e vitete 50-të shqetësoi shqiptarët emigrantë në Jugosllavi pasi i frikësoheshin një riatdhesimi. Pjesa më e madhe e tyre u larguan drejt perëndimit.
Të njëjtën gjë bëri edhe Camaj i cili u zhvendos në Itali me ndihmën e Koliqit. Prej këtej, Camaj është thellësisht i impenjuar në punën e tij studimore dhe i papërfshirë në asnjë operacion inteligjence apo politik të perëndimorëve.
Një aludim mbi Camaj ishte së dosja e tij në arkivin e Sigurimit të Shtetit bën pjesë në atë që njihej si “ilegalët”. Ky term i referohet agjentëve të Sigurimit të Shtetit që nxirreshin nga Shqipëria me qëllim të kryenin shërbime spiunazhi në mesin e mërgatës shqiptare. Referuar dosjes shqiptare të Martin Camajt, ky është një spekulim.
Pas largimit nga Shqipëria, Sigurimi i Shtetit nuk ka ditur asgjë për Camajn. Edhe kur ai mbërrin në Itali në mesin e viteve 1950-të, Sigurimi nuk ka asnjë të dhënë edhe pse në Itali kishte agjentë të shumtë.
Camaj mbërriti në Itali në kulmin e Luftës së Ftohtë. Në këtë kohë, CIA kishte nisur operacionin “Obdurate”, në të cilin Ernest Koliqi luante rolin thelbësor në dhënie informacione për mërgatën shqiptare për amerikanët. Dosja e operacionit “Obdurate” është nga më interesantet.
Aty listohen emrat e shumë shqiptarëve të cilët mund të jepnin ndihmë për të rrëzuar komunizmin. Më interesante është fakti që CIA dokumenton se si 3 agjentë shqiptarë të Sigurimit të Shtetit që punonin në legatën Shqiptare në Romë, kërcënonin shqiptarët e mërgatës shqiptare me jetën e familjarëve të tyre në Shqipëri duke i shtrënguar të bashkëpunonin.
Përmes një shqiptari, Iljaz Shytit, CIA arriti të fusë në kurth oficerët e sigurimit shqiptar, duke dokumentuar të gjithë lëvizjet e tyre e madje edhe të rekrutuarit në “Kompaninë 4000”. Më interesante akoma, oficerin shqiptar të cilin CIA e futi në kurth, Jonuz Mersini, shteti komunist shqiptar e rriti në detyrë duke e promovuar në detyrën më të rëndësishme të ish Sigurimit, Drejtorin e Zbulimit në Sigurimin e Shtetit. Agjentët e CIA-s shfaqin nota tallëse ndaj tij dhe ky detaj vlen për të kuptuar se Sigurimi i Shtetit përbëhej nga mediokër.
CIA dokumenton shantazhet e ish Sigurimit për disa dhjetëra shqiptarë dhe mes tyre mungon emri i Martin Camajt. Nëse ish Sigurimit do e kishte rekrutuar Camajn tek “ilegalët”, minimalisht do e kontaktonte, por kjo nuk ka ndodhur kurrë, referuar të dhënave të sigluara nga CIA përmes kundërzpiunazhit.
Arsyeja është e thjeshtë: Martin Camaj nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Camaj nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i asnjë shërbimi sekret. Ai ishte një atdhetar dhe intelektual i përzënë dhunshëm nga regjimi komunist, i cili nuk arriti kurrë të shuajë fjalën dhe emrin e Camajt.