Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume deklaroi se ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë më parë në Këshillin Politik për dakortësi, në rast të kundërt ato do të krijonin krizë.
Në një intervistë për Report.tv, Kume u shpreh se qëndrimi i opozitës jashtëparlamentare është i drejtë.
“Ajo që fola me Metën, duke iu drejtuar edhe opozitës, është nevoja që këto ndryshime të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Politik. Nëse bien dakord le të bëhet edhe ndryshimet në kushtetutë.
Në rast se miratohen tani, është përballja e shoqërisë tonë me krizë. Edhe nëse do jenë ndryshimet e kërkuara. Opozita jashtë parlamentit është e deklaruar se kurrë nuk do të jenë dakord dhe në vlerësimin tim është në të drejtën e saj.”
Në lidhje me takimin me Presidentin Meta, Kume u shreh se i kërkoi atij të ndërhynte në këtë situatë, për të dalë nga ngërçi.