Autoritetet e rajonit të Katalunjës në Spanjë i kanë bërë thirrje banorëve të Barcelonës të qendrojnë në shtëpi dhe të shmangin grumbullimet me mbi 10 veta, si masë për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, raporton Politico.eu. Vendimi u morr pasi në 24 orët e fundit u regjistruan 1, 111 raste të reja në Katalunja.
Zëdhënësja e qeverisë rajonale, Meritxell Budó, i rekomandoi banorëve të mos shkojnë në shtëpitë e tyre të pushimit. Gjithashtu, ajo tha se do të kufizohet numri klientëve në bare dhe restorante.
Por qeveria nuk vendosi izolimin e zonës, duke thënë se rekomandimet e reja nuk e këshillojnë më këtë hap.
Në fillim të javës edhe në një qytet tjetër në Katalunja u ndalua izolimi, pasi gjykatësi vendor nuk pranoi të ratifikoi vendimin e qeverisë rajonale, duke thënë se një vendim i tillë i përket qeverisë qendrore.
Spanja, një nga vendet më të prekura të Evropës, mbajti të enjten një ceremoni zyrtare të drejtuar nga Kryeministri në kujtim të jetëve të humbura nga koronavirusi.