Gjykata e Tiranës ka vendosur në 27 maj dënimin me 9 muaj burg të administratorit të kompanisë DH Albania, Avdjol Dobi.
Ai u shpall fajtor për falsifikimin e datës së regjistrimit të komapnisë në Delawere të SHBA-ve dhe bilancin e 3 viteve me qëllim marrjen e tenderit të Unazës së Madhe.
Gjykata e Tiranës, në janar 2020, mbylli hetimet për tenderat e fituara me falsifikime nga kompania fantazmë DH Albania. Në gjyq nuk përfundoi asnjë zyrtar i ARRSH-së, OST-së apo Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), të cilët ishin përgjegjëse për verifikimin e dokumenteve.
Prokuroria atëherë i tha BIRN-it se “nuk kishte gjetur asnjë prove që t’i lidhte ata me falsifikimet”.
DH Albania, me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi, u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të SHBA-ve njohur si parajsë fiskale.
Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh.
Pas zbulimit të skandalit tenderi i Unazës së Madhe u ritenderua me projekt të ndryshuar dhe tenderi i OST-së u anullua dhe kompani u detyrua të kthente mbrapsh fondin e përfituar.