Presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar Bashkimit Europian të vendosë sanksione ndaj Turqisë për shkelje të ujërave territoriale të vendeve të BE-së.
Thirrja e Macronit vjen pasi Turqia ka dërguar një anije për të kryer studime sizmike dhe shpime në ujërat në lindje të ishullit grek Kastellorizo për të kërkuar për rezerva me gaz.
Sipas presidentit francez ‘është e papranueshme që hapësira detare e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian të dhunohet ose të kërcënohet.’
Vitin e kaluar, BE miratoi një sërë sanksionesh ndaj Turqisë pas operacioneve të paautorizuara të gazit në ujërat qipriote.
Pas vënies së alarmit nga qeveria greke, anija turke është ankoruar pranë brigjeve por nuk po kryen shpime.
Por Turqia këmbëngul se po vepron brenda ligjit ndërkombëtar, ka çdo të drejtë të kryejë aktivitete të tilla dhe nuk ka përse të kërkojë leje për operacione të tilla shpimi.
Më herët edhe Manfred Weber, udhëheqësi i partisë më të madhe në Parlamentin Europian- EPP, i ka kërkuar Bashkimit Europian të vendosë sanksione ndaj Turqisë për këtë përplasje.