
Gazetari dhe publicisti grek Stefanos Chios është qëlluar me armë mesnatën e së hënës pranë banesës së tij në periferi të Athinës.
Autorët, ende të paidentifikuar, qëlluan gazetarin me dy plumba, një në qafë dhe një në brinjë.
Sipas mediave greke, ai u shpëtoi plumbave të tjerë falë bllokimit të armës së njërit prej autorëve, ndërsa tjetri u shpërqëndrua nga zëri i gruas së gazetarit, e cila doli nga shtëpia për të parë ç’po ndodhte kur dëgjoi krismat.
Hetimet për atentatin ndaj gazetarit po kryhen nga Departamenti i Krimeve Kundër Jetës në Policinë e Atikës, ndërsa gazetari po kurohet në spital.