Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar tre kërkesat e Ambasadores Yuri Kim drejtuar këtë javë Presidentit Meta, Kryeministrit Rama, Kryetarit të PD-së Basha, anëtarëve të Këshillit Politik dhe ekspertëve për reformën zgjedhore. Sipas njoftimin të publikuar në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, kërkesat e ambasadores janë:
1 — Të respektohet marërveshja e 5 qershorit.
2 — Kuvendi ka të drejtë të miratojë ligje.
3 — Vendimet e rëndësishme kombëtare duhet të merrën me gjithëpërfshirje dhe transparencë, siç u arrit marrëveshja e 5 qershorit.
“Edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë.
Për këto arsye, ne e kemi lavdëruar marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur nëpërmjet bisedimeve ndër-partiake; përshëndetëm miratimin në Parlament në 23 korrik të kodifikimit të marrëveshjes së 5 qershorit; dhe nënvizuam gjithëpërfshirjen dhe transparencën me të cilat partitë arritën marrëveshjen e 5 qershorit duhet të jenë norma në marrjen e veprimeve të rëndësishme kombëtare. Partitë duhet të përfshihen në Këshillin Politik me mirëbesim”, njofton ambasada.
Gjithashtu, ambasada shkruan se shpresojnë që drejtuesit politik të mbajnë fjalën dhe diskutimet për listat e hapura dhe koalicionet të vazhdojë edhe në sezonin e ardhshëm parlamentar.
“Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar”, përfundon njoftimi i ambasadës.