Filmat e ish-Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare? Debati duhet të vazhdojë

Nga Erblin Vukaj
Filmat e ish-Kinostudios, propagandë apo pasuri kombëtare? Debati duhet të vazhdojë

Viti 1989 nisi fundin e diktaturave komuniste në Evropë. Rrënimi ekonomik dhe vala e zhgënjimit qytetar nxitën revolta masive. Ato u përhapën shpejt nga Polonia në Hungari, Gjermani Lindore, Bullgari, Çekosllovaki e Rumani. Brenda vitit do të kulmonin me shembjen e murit në Berlin dhe rrëzimin dhunshëm të diktaturës së Nikola Çausheskut në Bukuresht.

Teksa diktaturat e këtyre shteteve vuanin atë vit trysninë e revoltave qytetare, në Shqipëri regjimi kishte ende fuqi t’i shtypte ato. Kjo falë propagandës dhe makinerisë së “vigjilencës revolucionare” që kishte mbjellë dhe korrur për 45 vite Sigurimi i Shtetit.

Në vitin 1989 regjimi në Shqipëri planifikonte manifestime festive. Dyzetepesë vjetori i Çlirimit duhej përcjellë me propagandë të madhe. Duhej eklipsuar ajo që po ndodhte në vendet e tjera komuniste.

Si për çdo vit jubilar, diktatura propozonte nderime me dekorata e tituj. Një i tillë – “Urdhri i Flamurit” – u propozua t’i jepej Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Kinostudio propozohej të vlerësohej për zhvillimin e artit kinematografik si “art militant dhe i dashur për masat”, si “armë e fuqishme për edukimin komunist” dhe që kishte pasqyruar “gjallërisht epokën e ndritur të Partisë” (Dosja 213, AQSH, 489, Presidiumi i Kuvendit Popullor 1989).

Propozimi u hodh poshtë pasi Kinostudio qe vlerësuar një herë më parë me “Urdhrin e Flamurit” në vitin 1987 dhe mbante gjithashtu Urdhrin e Klasit të Parë të Punës (1962) dhe Flamuri i Kuq i Punës (1976).

Pikërisht puna me “flamuj të kuq” e propagandës së Kinostudios kishte pleksur te qytetarët shqiptarë kode dhe sjellje bindëse ndaj sistemit. Prej tyre zor se arratisej kush, pavarësisht përpjekjeve për të ndjekur sinjalet e stacioneve të huaja.

Kinostudioja, e ngritur më 10 korrik 1952, do të prodhonte deri në vitin 1991, 227 filma, 1145 dokumentarë, 1006 kronika dhe 122 filma vizatimorë.

Në pothuajse 40 vite aktivitet, zhvilloi mesatarisht 74 prodhime kinematografike në vit, ku 7 prej tyre duhet të ishin medoemos filma me përmbajtje të kontrolluar ideologjike. Këto shfaqeshin sistematikisht kudo në çdo qytet, fshat, e organizatë pasi përmes tyre regjimi përhapte modelet e sjelljeve.

Filmi nën diktaturë u pa thelbësisht si mjet propagande. Përmes tij u kërkua formimi i “njeriut të ri”, të cilin pushteti mund ta mbante lehtësisht të nënshtruar.

Kjo u synua të realizohej me rrënjosjen e normave komuniste në skenarët e filmave. Me zbukurimet e skajshme të realitetit të ashtuquajtur “socialist”, me lartësime e tjetërsime historike, sidomos të luftës partizane, dhe me injorim, përçmim, denigrim të së ashtuquajturave “klasa të përmbysura”.

Kanë kaluar 30 vite nga fundi i diktaturave komuniste në Evropë. Edhe në Shqipëri diktatura ra, por fundi i transmetimit të propagandës së saj nuk filloi kurrë.

Tranzicioni i gjatë drejt demokracisë pa plot procese, të cilat premtuan ngjalljen e reflektimit mbi të shkuarën, por në Shqipëri ato vdiqën shpejt pa reflektuar gjë.

Për shembull, shndërrimi i ish-Kinostudios në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) kaloi pa reflektim mbi artin filmik të diktaturës edhe pse ngritja në këmbë e QKK-së deshi rreth 10 vite dhe brenda saj u krijua një komision vizionimi, i cili mund ta bënte këtë gjë.

Ca më shumë kohë kërkoi plotësimi dhe forcimi i kuadrit ligjor për mediat, të drejtat e autorit dhe instancave që do t’i kontrollonin ato.

Por pavarësisht këtyre zhvillimeve, sot, filmat e ish-Kinostudios transmetohen pa filtra, analiza, apo kontekstualizime të asaj se si ishte vërtetë diktatura, e cila pikërisht përmes kapjes së artit filmik e vizatoi veten me fytyrë të ëngjëllt.

Paketa digjitale dhe Radio-Televizioni publik Shqiptar (RTSH) paguajnë për t’i shfaqur.

QKK merr 30 për qind, artistët, ‒ duke u konsideruar bashkëpronarë, ‒ marrin pjesën tjetër prej 70 përqindësh përmes 3 organizatave që u mbrojnë interesat, ‒ kineastëve, aktorëve dhe kompozitorëve.

Tre vite më parë drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Agron Tufa, kërkoi nisjen e një procesi rishqyrtimi të mënyrës së transmetimit të filmografisë së diktaturës, si proces që mund të niste dekomunistizimin aq të nevojshëm për shoqërinë shqiptare.

Mirëpo si çdo proces tjetër që ka synuar reflektimin mbi të shkuarën në Shqipëri, edhe kjo nismë u vra shpejt nga një debat aspak i ndershëm dhe qëllimisht i deformuar që zuri mediat.

“Arti militant” i konsideruar nga regjimi diktatorial si “armë e fuqishme e edukimit komunist”, që kishte trajtuar “gjallërisht epokën e ndritur të Partisë” u mbrojt me zell dhe fyerje nën argumentin se po kërkohej që “pasuria kombëtare e kinematografisë të censurohej”.

Vërtetë censura do t’i ndalonte krejtësisht filmat e regjimit diktatorial, por ideja e Tufës nuk ishte kjo. Ai propozoi që transmetimi i tyre, së paku në televizionin publik, të seleksionohej në raport me nivelin e propagandës që ato përcjellin, ose që minimalisht të shoqëroheshin me mbishkrim ku të theksohej se filmi nuk trajton realitetin e kohës, por propagandën e Partisë së Punës së Shqipërisë.

Propozimi pati nevojë për mbështetje nga vetë artistët, të cilët, sigurisht që shumica u detyruan nga sistemi të prodhonin atë lloj arti të kapur, por vetëm qasja kritike do t’i çlironte dhe vlerësonte më shumë duke e merituar etiketimin “pasuri kombëtare” dhe jo e kundërta.

Po ashtu propozimi kishte nevojë për mbështetjen e ligjvënësve. Por as kjo nuk ndodhi.

Mbështetje pati vetëm nga ish-të përndjekurit dhe organizata jo-qeveritare si Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC).

Shumë vende, nga ato që në vitin 1989 nisën fundin e diktaturave në Evropë, nuk i transmetojnë më këto filma, Ukrania ndërkohë i ndalon edhe me ligj.

Në Shqipëri nuk ndodh aspak kështu. Filmat e ish-Kinostudios duke u transmetuar pa fre, përveçse ngjallin nostalgji të sëmurë për një realitet të shtrembër, qarkullojnë edhe para.

Gjatë 30 viteve tranzicion institucionet nuk kanë saktësuar ende se sa njerëz u përndoqën realisht nga diktatura në Shqipëri duke lënë si shifra nga 42,700 deri në mbi 100 mijë persona.

Flitet shumë për nevojën që ka shoqëria shqiptare për të reflektuar mbi periudhën e diktaturës, por mbase reflektimi duhet nisur nga periudha e tranzicionit.

Ajo që shkoi keq këto 30 vite ishte se shumë plagë, çështje problematike e të pazgjidhura të 45-viteve të diktaturës u lanë të mbyteshin në heshtje dhe harresë. A thua se vetë koha do t’i shërojë vuajtjet e së shkuarës.

Ndaj debati mbi filmat e diktaturës, për mënyrën e transmetimit të tyre, duhet medoemos të vazhdojë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>