Deputetja Rudina Hajdari e quajti një fitore për gjithë qytetarët hapjen e listave të kandidatëve për deputetë.
Duke folur në kuvend, ajo tha se parlamenti i ardhshëm do të ketë ‘njerëz të ndershëm dhe të mirë, e jo matrapazët e kriminelët’ që vihen në lista nga kryetarët e partive:
“Sot ne jemi duke votuar një ndryshim historik, hapjen e listave.
Nga një çështje periferike, së bashku me kolegët tanë dhe një pjesë të shëndoshë të shoqërisë civile arritëm ta kthenim në një nga çështjet më të mbështetura.
Në parlament do të vijnë ata njerëz që janë të ndershëm dhe jo ata që janë matrapazë. Falë listave të hapura, ju mund ta bëni këtë dhe kjo do të jetë e mundur, pasi përmes votës suaj do të sillni deputetët punëtorë dhe jo lëpirës ndaj kryetarëve të partive. Do të sillni atë qytetar që është i vyer, profesor dhe i nderuar, dhe jo kriminel.”
Hajdari theksoi se qytetarët sot po fitojnë dhe po i marrin nga dora kryetarëve të partive një pjesë të fuqisë për të vendosur deputetët në parlament.
Ajo ftoi të gjithë qytetarët që të besojnë dhe luftojnë për demokratizimin dhe përmirësimin e vendin, pasi nëse këmbëngulin të gjithë së bashku, ndryshimi do të vijë:
“Ejani ta ndryshojmë këtë vend. Unë besova se ndryshimi do të ndodhte, luftova dhe me një armatë njerëzish ia dola, nëse bashkohemi të gjithë, do ta ndryshojmë Shqipërinë. Sot kemi hedhur një hap të rëndësishëm drejt ndryshimit, urime të gjithë shqiptarëve.”