Presidenti Meta ka përkujtuar Lefter Millon, ish-futbollist i ekipit tonë kombëtar, i cili sot do të mbushte 54 vjeç, por u nda nga jeta në një aksident automobilistik në vitin 1997.
Meta ka postuar sot një mesazh në faqen e tij në Facebook duke e quajtur Millon legjendë, fitimtar të dyluftimeve, i paepur, energjik dhe triumfues.
“Futbolli ynë ka nevojë për modelin e vyer të Lefter Millos… për shpirtin e tij të garës, dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar,” ka shkruar Meta.
Ai ka vlerësuar faktin se Lefter Millo, edhe pse me kombësi greke, zgjodhi të përfaqësonte kombëtaren shqiptare, duke u bërë një shembull i kontributit të minoritetit grek.
Lefter Millo, i lindur në Derviçan të Gjirokastrës më 1996, fillimisht u aktivizua me Luftëtarin e Gjirokastrës në periudhën 1984-1986. Pastaj kaloi tek Partizani i Tiranës ku luajti deri në vitin 1990.
Millo emigroi në Greqi në vitin 1991. Ai luajti si mesfushor për ekipin e Larisës në periudhën 1991-1996, pastaj për Iraklisin e Selanikut për më pak se një vit deri në momentin e vdekjes.
Ai ka luajtur me kombëtarën shqiptare në periudhën 1988-1996, duke qenë pjesë e ekipit në 20 ndeshje.
Millo u nda nga jeta në mars 1997, në moshën 30-vjeçare, në një aksident automobilistik në Selanik të Greqisë.