Partia Demokratike do të mbledhë të hënën Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar, të cilët do të vendosin ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë.
Ky komision do të vlerësojë listat me propozimet për deputetë ardhur nga anëtarësia e PD-së – deri më tani janë propozuar reth 2 mijë kandidatë nga të gjithë qarqet e vendit.
Komisioni do të përbëhet nga pesë persona, ish drejtues të PD-së dhe figura të shoqërisë civile, dhe do të mbështetet nga dy sekretarë.
Dy nga pesë anëtarët e komisionit janë ish-ministra të qeverisë së mëparshme të PD-së, Besnik Mustafaj dhe Genc Ruli. Tre anëtarët e tjerë ende nuk janë bërë publik.
Exit News ka sqaruar më parë se si do të zhvillohet procesi i përzgjedhjes së 140 kandidatëve për deputet brenda Partisë Demokratike:
Anëtarësia do të propozojë kandidatët për deputetë. Lista me kandidatët e ardhur nga anëtarësia do të vlerësohet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve.
Komisioni, pas vlerësimit do të hartojë dy lista: Lista e kandidatëve që miratohen për të vazhduar në stadin e dytë dhe lista me kandidatët që duhet të presin miratimin.
Kandidatët e listës së parë do të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit, i cili do të vlerësohet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pas mbledhjes së të dhënave nga institucionet shtetërore.
Lista përfundimtare me kandidatët e konfirmuar i paraqitet anëtarësisë. Anëtarësia voton për atë person që nuk do nga lista (votë kontestuese).
Pas përfundimit të procesit të votimit, lista miratohet nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve dhe i kalon Kryesisë.
Hartimi i Listës përfundimtare
6 drejtues të PD-së, kryetari, sekretari i Përgjithshëm, dy nënkryetarët, kryetari i Këshillit Kombëtar, dhe ish-kryeministra janë automatikisht pjesë e listës për deputet. Ata nuk i nënshtrohen këtij procesi.
Kryesia zgjedhë nga lista e anëtarësisë 80 përqind të kandidatët për deputet (107 kandidatë), duke ruajtur 30 përqindshin e grave, 10 përqindshin e të rinjve, dhe kuotën e përndjekurve politik (nuk përcaktohet në udhëzimin e PD).
Kryesia do të fusë në listë 20 përqind ose 26 kandidatë për deputet, prurje e re nga fusha të ndryshme. 26 kandidatët do të propozohen nga Kryetari i PD-së.
Më pas, lista përfundimtarë votohet në bllok nga Këshilli Kombëtar i partisë.
Kandidatët të cilët nuk janë pjesë e listës përfundimtare për deputet do të përzgjidhen për organet drejtuese të partisë, nënpunës të lartë të administratës ose në këshillat bashkiak.