
Presidenti Ilir Meta, pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, i bëri thirrje qeverisë të rrisë numrin e mjekëve epidemiologë, higjenistë, reanimatorë dhe të infermierëve.
“Përsëris me forcë thirrjen drejtuar qeverisë për të shtuar buxhetin e sektorit të shëndetësisë, dhe marrjen pa vonesa të të gjitha masave për shtimin e ambienteve të terapisë intensive, për më shumë pajisje dhe gjithçkaje të domosdoshme që duhet për trajtimin e të prekurve”, tha ai në një postim në Facebook, të mërkurën, në darkë.
Ai falenderoi stafin mjekësor që i shërben me profesionalizëm dhe përkushtim pacientëve të prekur nga Covid-19.
Meta i bëri thirrje edhe qytetarëve të mbajnë maska dhe të respektojnë distancimin social.
“Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm në zbatimin e udhëzimeve publike, për mbajtjen e maskave, respektimin e distancimit fizik dhe higjienë maksimale”.
Ai i kujtoi të gjithëve se vetëm të bashkuar mund ta kalojmë këtë gjendje.