Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një plan-veprimi për të rimëkëmbjen socio-ekonomike të vendit pas pandemisë së Covid-19.
Për zbatimin e planit do të duhej një buxhet prej 97 milionë dollarësh për 12-18 muaj e ardhshëm.
Plani përcakton disa nga masat prioritare që qeveria shqiptare mund të marrë për rimëkëmbjen e vendit dhe zbutjen e efekteve negative të pandemisë.
Nëse do të zbatohet, plani parashikon pesë shtylla kryesore ku duhet bazuar rimëkëmbja, dhe në disa prej tyre nevojitet ndihma e OBSH-së dhe UNICEF-it.
Exit News ka parë propozimin e plotë të OKB-së dhe sjell më poshtë pikat kryesore të planit të rimëkëmbjes.
Pesë shtyllat e propozuara janë:
Shëndetësia, e cila përfshin forcimin e kapaciteteve për testimet të laboratorëve shtetërorë, parandalimin e infeksionit mes punonjësve të sistemit shëndetësor, porositjen e vaksinave sa më parë, trajnimin e vazhdueshëm të stafit spitalor, etj. Buxheti i parashikuar për këtë pikë është 59 milionë dollarë.
Mbrojta e qytetarëve, e cila përfshin mbështetjen për bashkitë për t’i ofruar qytetarëve shërbime sociale gjatë gjithë pandemisë, përfshirjen e grupeve vulnerabël, si të komunitetit rom apo egjiptian në skemat e mbështetjes sociale, trajnim të stafeve të bashkive për t’i ofruar këto shërbime, etj. Buxheti i parashikuar si i nevojshëm për këtë pikë është 10,8 milionë dollarë.
Rimëkëmbja e ekonomisë, e cila përfshin ruajtjen e vendeve të punës veçanërisht në bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe mbrojtjen e punëtorëve në të zezë, mbështetjen e të rinjve që duan të nisin biznese novatore, mbështetje për turizmin vendas, si për të tërhequr vizitorët vendas, ashtu dhe të huajt, fuqizimin e grave sipërmarrëse, etj. Buxheti i parashikuar i nevojshëm për këtë pikë është 17 milionë dollarë.
Bashkëpunimi shumëpalësh dhe përgjigja makroekonomike, i cili përfshin mbështetje për INSTAT-in për mbledhjen dhe përpunimin sa më të mirë të të dhënave të nevojshme për pandeminë, forcimi i aftësive të vendit për t’iu përgjigjur krizave të sistemit ushqimor shkaktuar nga katastrofat dhe emergjencat, si ajo e Covid-19, etj. Buxheti i parashikuar i nevojshëm për këtë pikë është 865 mijë dollarë.
Kohezioni social dhe rezistenca e komunitetit, i cili përfshin mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve dhe praktikave të mira për organizatat e shoqërisë civile që mbështesin të rinjtë, gratë, grupet vulnerabël, personat me aftësi të kufizuar, etj. Buxheti i parashikuar i nevojshëm për këtë pikë është 9,1 mijë dollarë.