Partia Demokratike e ka quajtur ‘korruptiv’ projektin 1,2 miliardë euro të qeverisë Rama për rrugën Milot-Fier dhe premton se kur të vijë në pushtët do ta anulojë atë nëse gjen shkelje ligjore.
Sekretari i Burimeve Njerëzore në PD Ervin Minarolli, në një deklaratë nga Rrogozhina, tha se shifra 1,2 miliardë euro është e fryrë nga qeveria Rama për të rritur në mënyrë artificiale faturën që sytetarët duhet të paguajnë për të udhëtuar në këtë rrugë.
Minarolli theksoi se shifra prej 17,4 euro për vajtje-ardhje që qytetarët duhet të paguajnë për të kaluar rrugën, është shifër ‘stratosferike dhe vjedhje skandaloze’.
“Strategjia e rrugëve me pagesë, e miratuar në 2016-ën nga e njëjta qeveri, rekomandon vlerën maksimale prej 3.5 cent për km ose 3.5 Euro për 100 km. Pra, krahasuar edhe me dokumentat që vetë kanë miratuar, kostoja që duhet të paguajë qytetari për rrugën është thuajse dyfishuar,” theksoi Minarolli.
Në 1 korrik, Kryeministri Rama njoftoi se segmenti rrugor Milot-Fier do të ndërtohet dhe mirëmbahet me koncesion.
Qytetarët do të pagujnë për kalimin në këtë aks 0.075 euro për kilometër ose 8,7 euro për një kalim, ose 17,4 euro për vajtje-ardhje.
Segmenti do të jetë 115 kilometra i gjatë, ku 53 kilometra do të jenë rrugë të reja që do të ndërtohen, ndërsa 62 kilometrat e tjerë do të jenë rehabilitim i rrugëve ekzistuese.
Financimi prej rreth 1,2 miliardë eurosh për rrugën do të bëhet nga fituesi i garës. Ndërsa shteti do të ofrojë garanci për deri në 10 për qind të vlerës së investimit, në rast se trafiku në rrugë nuk është sipas pritshmërisë së koncesionarit.
Për të lexuar më shumë për këtë projekt lexoni këtu.