Partia Demokratike ka përgënjeshtruar deklaratat e Bashkisë Durrës, e cila sqaroi se familjet që Basha vizitoi në Manzë në çadra në 10 gusht, kanë përfituar bonus qiraje dhe janë të përfshirë në skemën e Rindërtimit.
Sipas bashkisë, familjet do të përfitojnë apartamente sapo të përfundojnë ndërtimet e pallateve dhe se për këtë ka një vendim bashkie.
PD akuzoi bashkinë se është vënë në lëvizje vetëm pas denoncimeve të Bashës, pasi dhe vendimi i bashkisë ku përfshihet familja në fjalë mban datën 10 gusht 2020.
“Pas denoncimeve të Kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe qytetarëve të pastrehë që prej 26 Nëntorit të Manzës, u mblodh me urgjencë Këshilli Bashkiak i Durrësit për të miratuar grantet për rindertim. Kjo mbledhje dhe vendimi shoqërues vijnë pas plot 9 muajsh pritje të qytetarëve të cilët vazhdojnë të jenë të strehuar në çadra,” shkroi kreu i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferaj.